Ekonomi - Rusia Pret Një Ristrukturim Të Borxhit Të Greqisë
SHËN-PETËRBURG, 19 qershor /ATSH-AFP/ - Ministri rus i Financave Aleksei Kudrin u shpreh sot për një ristrukturim të borxhit grek, disa ditë pas uljes së vlerësimit të Greqisë nga agjencia Moody's që shkaktoi zemërimin e Brukselit.
"Mendoj se do të ketë një ristrukturim të borxhit të Greqisë, gjë që nuk do të jetë e këndshme", deklaroi ai në Forumin Ekonomik të Shën-Petërburgut, në veriperëndim të Rusisë.
"Por, ky nuk do të jetë një ristrukturim i madh, do të jetë i pranueshëm për tregun. Nëse ai nuk do të jetë i thellë, tregu do ta presë normalisht", e ndryshoi tonin ai, duke shtuar se kjo është kërkuar gjithashtu nga investitorët.
"Ju mund ta quani këtë një gabim të vogël, por nuk do të thosha se ky është një gabim i vërtetë. Do të jetë diçka më e vështirë", shtoi ai.
Të enjten, disa ekspertë të misionit të Bashkimit Evropian dhe të FMN-së u shprehën se plani për nxjerrjen e Greqisë nga kriza financiare po zbatohej siç është parashikuar.
Agjencia e kontrollit Moody's e uli të hënën vlerësimin për Greqinë me katër shkallë, nga "A3" në "Ba1", duke e futur përsëri në kategorinë spekuluese që nënkupton një rrezik për mosrimbursimin e borxhit të saj publik, një vendim i gjykuar "i pabazë" nga Athina dhe i kritikuar nga Komisioni Evropian.
Ministrja franceze e Ekonomisë, Christine Lagarde, nuk ishte e të njëjtit mendim me Kudrin.
"Ndihma financiare e BE-së dhe FMN-së prej 110 miliardë eurosh për tre vjet, nuk varet nga një ristrukturim i çfarëdoshëm i borxhit", deklaroi ajo. Qeveria greke ka filluar të reformojë dhe të ndryshojë në thellësi ekonominë e vendit, për mua pikërisht kjo ka rëndësi".
/I.Pu.