English

Erozioni Detar-Shkaqet Dhe Masat Për Shmangien E Këtij Fenomeni Në Brigjet Shqiptare

TIRANË, 19 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Erozioni detar paraqet situatë emergjente në brigjet shqiptare, duke kërcënuar qindra kilometra katrorë tokë, por dhe zhdukje të plazheve. Ndaj, ndërmarrja e masave të menjëhershme është domosdoshmëri për të ndalur këtë "sëmundje". Efektet e ndryshimit të klimës, sidomos rritja e nivelit të detit, ndryshimet në frekuencat e stuhive, rritja e erozionit bregdetar, aktivitetet ekonomike humane, etj, ndikojnë negativisht kundrejt mjedisit dhe shoqërisë që jeton në këto zona. Të dhënat e studimit më të fundit, të ndërmarrë nga specialistët shqiptarë, tregojnë se ky fenomen është i pranishëm në bregdetin shqiptar. Ndër zonat me erozion më kritik, Prof. Çerçiz Dyrmishi, një nga hartuesit e studimit, përmend zonën në krah të majtë të grykëderdhjes së Bunës, pjesa e Velipojës deri në Vilun, etj. "Me intensitet paraqitet erozioni në pjesën jugore të plazhit të Shëngjinit deri në Tale, në gjatësi prej 9.3 km, pjesa kritike është krahu i djathtë i lumit Erzen, duket për shkak të inerteve në lumin Ishëm", sqaron Prof. Dyrmishi. Zona me intensitet janë edhe grykëderdhja e vjetër e lumit Seman dhe plazhit me të njëjtin emër, pjesa në jug të Divjakës, etj. Ndërsa, në zonat bregdetare të përbëra nga formacione shkëmbore, më sensitive, sipas të dhënave, janë segmenti Currila-Porto Romano-Kepi i Palit, segmenti nga Shën Pjetri-Kepi i Rodonit-Darç-Ishëm, ku, veç erozionit detar, vihet re dhe rrëshqitje masive e masave shkëmbore, etj. - Shkaqet - "Shkaktarë të erozionit detar janë natyralë nga ndryshimi i klimës globale, por dhe për shkak të aktiviteteve të njeriut", thotë Prof. Dyrmishi. Për këto arsye ai shfaqet në rrugë të ndryshme. Por, më i zakontë është procesi që lidhet me lëvizjen e vijës së ujit, ose transgresionin e detit drejt tokës, duke gërryer apo mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme të tokave. Shkaqe të tjera janë uljet, apo ngritjet e plazheve, si rezultat i lëvizjeve neotektonike, ngushtimi i plazheve dhe ndryshime morfologjike, ndryshime të shumta në vëllimin e rërës, duke pakësuar sasinë e sedimeneteve ranore, etj. Ambientalisti Sazan Guri tha për ATSH-në "erozioni natyror është një proces në ekuilibër, proces që duhet të ndodhë, sepse nënkupton që diku ai gërryen, diku akumulon". Në faktorët natyrorë janë ndryshimet që ndodhin në vlerat e parametrave oqeanografikë, meteorologjikë, klimatike, sizmologjike, rritjet relative të nivelit të detit etj. "Erozioni natyror ndodh për shkak të rritjes së nivelit të detit që është në pragjet e tij më të larta dhe për shkak të ngrohjes globale, që nga ana e vet ka ndikim njerëzor", u shpreh Guri, sipas të cilit, deti me rritjen e nivelit arrin të pushtojë toka bregdetare, kënetore, të lagëta, fushore dhe ky është proces normal. "Vetë proceset natyrore janë që deti diku gërryen, dhe e kundërta ndodh, duke ruajtuar këtë ekuilibër, toka shkon në drejtim të detit", sqaron ai. Por një tjetër faktor i këtij fenomeni janë ndërhyrjet pa kriter të prishjes së ekuilibrave natyrorë, si rezultat i zhvillimeve social-ekonomikë e turistikë, bonifikimet dhe ndërtimet, ndërtimi i pritave apo digave, etj. "Erozioni njerëzor bën që përveç gërryerjes detare si proces natyror, të kemi gërryerje pasi të gjitha prurjet e lumenjve tanë, duke filluar nga Drini e deri në Shkumbin e Vjosë, nuk formojnë deltë. Kjo ndodh se lumenjve gjatë rrjedhës së tyre drejt detit iu merren sasi materialesh inerte që nuk e çojnë këtë material në det, nuk e formojnë dot deltën. Guri sjell si shembuj të erozionit, që e vlerëson "galopant", luginën e Patokut apo Fushëkuqes. Erozioni është më i fuqishëm, sepse njeriu i afrohet detit me ndërtime urbane. "Ndërhyrjet në det bëjnë që të shkaktojë energji në zonat që janë të pambrojtura, natyrore, siç është marrëdhënia qytet-bregdet në Durrës e Vlorë, etj. Njeriu i ka vajtur rreth 10 metra afër detit të Velipojës, që do të thotë se diku ai ndërton e diku tjetër deti 'hakmerret', duke shkarkuar në një zonë të pambrojtur", sqaron Guri. Ky raport i keqekuilibruar bën humbës njeriun, shton ai. Në vija të përgjithshme duhet të mbahet një distancë rreth 300 m nga deti me ndërtime, ndërsa sot, sipas ambientalistëve, mbahet distanca 40 m, shpesh edhe - 40 m, duke u futur në det. Të dhënat nga ambientalistët tregojnë se vendet e tjera të botës kanë të sanksionuar në ligj mbajtjen e 600-700 m, madje edhe në 2000 m. "Nëse do zbatonim mbajtjen e distancës 300 m, sot do të ishim në shifra të pranueshme të erozionit", vijon Guri. Erozioni detar, sipas tij, është rezultantja ku shfaqen gabimet në mal, në fushë, në kodra, lidhur me lumenjtë, në tokat e bukës, me shkëmbenjtë, me pyllëzimet, lëndinat, etj. Ndërkohë, një projekt i Bankës Botërore, që pritet të mbarojë në disa muaj, pritet të sjellë të dhëna reale për erozionin në Shqipëri. - Masat - Mbrojtja e vijës bregdetare, shfrytëzimit të inerteve lumore dhe pyllëzimi në zonen bregdetare të vendit janë pikat ku është përqëndruar plani i veprimit të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave mbi masat për erozionin. Mbi mbrojtjen e zonës bregdetare, sipas drejtorit të Biodiversitetit në MMPAU, Sajmir Hoxha, janë parashikuar disa masa ligjore për marrjen nën mbrojtje të vijes bregdetare, ndër të cilat dhënia e statusit të zonës së mbrojtur të ekosistemeve bregdetare. "Janë dy zona të mbrojtura që do të zgjerohen, ekosistemi Kune-Vain-Tale dhe Patok-Fushëkuqe-Ishëm. E po kështu do të hartohet plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe i peizazhit të mbrojtur të lumit të Bunës-Velipoje", tha sot për ATSH-në Hoxha, sipas të cilit, në bashkëpunim me Malin e Zi do të kryhet dhe studimi i basenit të Liqenit të Shkodrës, për të ndërtuar një model hidrologjik të zonës. Sa i takon shfrytëzimit të inerteve, parashikohet ndalimi i rinovimit të lejeve të shfrytëzimit të inerteve, si dhe ndalimi i shfrytëzimit të tyre jashtë normave mjedisore. "Në planin aftashkurtër do të hartohet plani i menaxhimit të basenit lumor të Matit, si dhe parashikohen projekte për hartimin e planeve të dy baseneve të tjera", nënvizoi Hoxha. Po kështu, aktivizimi i Task-forcës për kontrollin e veprimtarisë së shfrytëzimit të zhavorreve në të gjithë territorin, është tjetër masë e parashikuar nga MMPAU. Nga ana tjetër, dikasteri qendror për mbrojtjen e mjedisit do të përqëndrojë mbjelljen e pemëve në zonen bregdetare dhe ato të zhveshura. "Gjithashtu, është ndaluar prerja e drurëve pyjore në zonën bregdetare", sqaron më tej Hoxha, duke nënvizuar se për këto masa do të bashkëpunohet me ministritë e linjës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet kërkimore e universitetet. Por, për ambientalistin Guri mbjellja e pemëve, apo dhe e çdo bime tjetër, por dhe kthimi i tokave kullosore në identitet, janë masa të thjeshta, por të menjehershme e efikase. "Ndaj, të gjithë qytetarët duhet të mbjellin vetë pemë, pasi kështu edhe do t'i ruajnë më shumë pyjet e nuk do i presin", thotë ai./s.s./
KOMENTE