English

Gjirokastër: Mbi 10 Mijë Turistë Në 5 Muajt E Fundit Në Kalanë E Qytetit

GJIROKASTËR, 19 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Mbi 10 mijë turistë vendas e të huaj kanë vizituar në 5-mujorin e fundit Kalanë, pjesën muzeale dhe Qafën e Pazarit në Gjirokastër, ndërsa fluksi pritet të rritet në vijim, pasi agjencitë turistike flasin për një destinacion të sigurtë të tureve. Ermira Çuberi, drejtore e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muzet të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), tha sot për ATSH-në, se fluksi më i madh i turistëve është regjistruar në Maj, kohë kur u çel dhe ekspozita me shpikjet e gjeniut italian, Leonardo Da Vinçi në Kala. "Gjatë ekspozitës 10-ditore, kalaja u vizitua nga 6 mijë turistë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë gjatë 20 viteve të fundit", shprehet Çuberi. Ajo thotë se investimet e kryera në Kala, promovimi dhe dy aktivitetet e rëndësishme kulturore si ekspozita dhe festivali "Takimet muzikore të dy botëve", kanë ndikuar në rritjen e konsiderueshme të numrit të turistëve. "Parashikohet që ky numër të rritet gjithmonë e më shumë. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me agjensi të ndryshme turistike vendase dhe të huaja që na kanë konfirmuar se një numër i lartë turistësh e kanë përzgjedhur Gjirokastrën si një destinacion turistik", siguron Çuberi. Në vitin 2009, që u cilësua si viti më i suksesshëm turistik, qyteti i gurtë u vizitua nga rreth 20 mijë turistë. Fillimet e Gjirokastrës si vendbanim lidhen ngushtë me kalanë. Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, Gjirokastra u bë qëndër e feudalëve shqiptar të Zenebishtëve. Kalaja madhështore tërhiqte vëmëndjen e udhëtarëve të huaj. Të dhëna me interes për kalanë vijnë nga Evlia Celebi. Qyteti mori fizionominë e një qyteti tipik mesjetar në shek. XII- XIII, kohë në të cilën shtrihet dhe jashtë mureve të kështjellës. Në periudhën mesjetare, qyteti i Gjirokastrës shërbente si qytet qendër për gjithë luginën e Drinos. Lugina e Vjosës së Sipërme dhe rrethinat për rreth, formojnë krahinën e Përmetit. Ajo, u krijua si një njësi administrative nga osmanët në shekullin XV me qëndër Përmetin, nën juridiksionin e Sanxhakut të Gjirokastrës. Për pozitën dominuese dhe kalanë e mirëmbajtur, Gjirokastra, pas pushtimit osman caktohet qëndër e Sanxhakut të Delvinës. Sipas regjistrimit osman të vitit 1431-1432, qyteti numuronte 20 shtëpi. Në fund të shek. XIV ky numër rritet në 380, kurse në fillimet e shek XVI (1506-1507) ishin rregjistruar 143 vendbanime dhe rreth 200 shtëpi, jashtë kështjellës. Në shekullin XVII, qyteti u karakterizua nga zhvillime të ndjeshme dhe numëronte rreth 1200-1500 banorë. Në rrjedhën e kohës lagjet "Palorto", "Manalat" e "Dunavat" morën formën e asambleve monumentale. Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe pas 32 vjetësh në vitin 2005 është shpallur pasuri botërore nga UNESCO./n.m/
KOMENTE