English

Kinë - Banka Qendrore Konfirmon, Juani Më Fleksibël

PEKIN, 19 qershor /ATSH-ANSA/ - Banka Qendrore kineze njoftoi sot se "juani do të jetë më fleksibël", pas një periudhe të gjatë presioni, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për të rritur vlerën e monedhës së saj në mënyrë që të korrigjohen ekuilibrat e tregtisë ndërkombëtare dhe të favorizohet rimëkëmbja ekonomike. Vendimi për ta bërë më fleksibël nivelin e këmbimit të juanit, konfirmon Banka Popullore e Kinës në një komunikatë të shpërndarë në faqen e saj të internetit, "është marrë duke parë se ekonomia globale po rimëkëmbet gradualisht". "Rimëkëmbja dhe rritja e ekonomisë kineze është bërë më solide me përforcimin e stabilitetit ekonomik. Për pasojë mund të vazhdohet me reformën e nivelit të këmbimit të juanit në mënyrë që të rritet fleksibiliteti", thuhet më tej në komunikatë. Banka Qendrore kineze thekson se "do të reflektohet për ofertën dhe kërkesën në tregun ndërkombëtar për disa monedha të ndryshme. Ndërsa luhatja do të mbetet e njëjta me atë që u shpall më parë në tregun ndërbankar të valutave". Sipas Bankës Popullore të Kinës, surplusi komercial kinez "është reduktuar ndjeshëm në vitin 2010 dhe për pasojë nuk ekzistojnë bazat për një rritje në shkallë të gjerë të nivelit të këmbimit", fjalë këto që dëshmojnë një vullnet për ta rritur nivelin e këmbimit në mënyrë të përmbajtur. /e.v/
KOMENTE