Kirgizistan - Tensione Dhe Prani E Madhe Ushtarake Në Jug
OCH, 19 qershor /ATSH-AFP/ - Tensionet ishin të forta sot në Och, në jug të Kirgizistanit, ku prania ushtarake është e madhe, ndërsa dy komunitetet uzbeke dhe kirgize i tremben një rishfaqjeje të dhunës ndëretnike që kanë shkaktuar qindra të vdekur që prej një jave.
Disa pika kontrolli të ushtrisë dhe policisë ndodhen ende kudo në qytet, në afërsitë lagjeve uzbeke ku aktet e dhunës kanë qenë më të forta. Ushtarët kontrollojnë dokumentet e kalimtarëve dhe automjetet në kërkim të armëve.
Pjesa më e madhe e distrikteve uzbeke janë bllokuar me pemë të prera, makina të djegura, kosha plehërash, kamionë ose atobusë, që pengojnë hyrjen e autoriteteve.
Premtimi i bërë të premten nga presidentja e përkohshme Rosa Otunbajeva për heqjen e barrikadave të shtunën shkakton shqetësim tek uzbekët për përleshje të reja, pasi këta të fundit akuzojnë ushtrinë se ka marrë pjesë në akte dhune kundër tyre.
Të paktën dy barrikada janë hequr sot në mëngjes herët edhe pse nuk pati dhunë, njoftojnë banorë.
Ndërsa kirgizët kërkojnë ndërhyrjen e policisë në këto lagje, duke u shprehur se atje ndodhen shumë pengje, sidomos përfaqësues të forcave të rendit.
Kryetarja e Bashkisë së qytetit Och, i bëri të ditur AFP-së se trupat e gjymtuar të pesë pengjeve, katër burra dhe një grua, janë nxjerrë nga një lum në dalje të Narimanit, një fshat i vogël uzbek mes Ochit dhe kufirit me Uzbekistanin.
Sipas presidentes së përkohshme kirgize, aktet e dhunës që shpërthyen gjatë natës së 10 dhe 11 qershorit në Och përpara se të përhapeshin në Xhalal Abad, në jug, kanë shkaktuar rreth 2 000 të vdekur.
/I.Pu.