English

Kosove - Parteshi Me Zgjedhjet E Neserme Behet Komuna E Katert E Re Me Shumice Serbe

PRISHTINË, 19 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Parteshi, me zgjedhjet e nesërme lokale, bëhet komuna e katërt nga pesë komunat e reja me shumicë serbe të Paketës Ahtisaari, në procesin e decentralizimit në Kosovë. Organizatorët, Komisioni Qendror Zgjedhor, kanë njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për votimet e nesërme, të cilat zhvillohen nga ora 07.00 deri në ora 19.00. Është bërë e ditur se të drejtën e votës e kanë mbi 3 800 votues, ndërsa janë akredituar nga KQZ 148 vëzhgues. Me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës - Paketën Ahtisaari, është paraparë krijimi i pesë komunave të reja: Graçanicë, Kllokot-Vërbovc, Partesh, Ranillug dhe Mitrovicë Veriore, si dhe zgjerimi i komunës ekzistuese, Novobërdës, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Në tri komunat e reja - Graçanicë, Kllokot-Vërbovc dhe Ranillug është bërë konstituimi i kuvendeve dhe qeverive vendore pas zgjedhjeve lokale të Kosovës të 15 nëntorit të vitit të kaluar, të cilat janë mbajtur edhe në komunën e zgjeruar të Novobërdës. Në dy komuna të tjera me shumicë serbe, në Mitrovicën e Veriut dhe në Partesh, lokalitet ky në lindje të vendit, zgjedhjet mbahen pas përfundimit të procesit të themelimit të tyre. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, më 5 shkurt të këtij viti ka emëruar Ekipin Përgatitor Komunal për komunën e re të Mitrovicës Veriore. Por, nuk ka ende ndonjë datë kur do të mbahen zgjedhjet atje, ndërsa pritet të zhvillohen në kuadër të Strategjisë Gjithpërfshirëse për Integrimin e veriut të Mitrovicës. /a.ke/
KOMENTE