Malavi-Kosove: Presidenti Mutharika Premton Angazhim Per Njohje Te Reja Nga Shtetet E Unionit Afrikan
PRISHTINË, 19 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Edhe në ditën e tretë të vizitës së tij shtetërore në Republikën e Malavit, Presidenti Sejdiu ka pasur një sere aktivitetesh të rëndësishme. Kështu, ai ka patur një mëngjes pune me Presidentin Mutharika, ku u bisedua për raportet bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Në mesditë, Presidenti Sejdiu dhe Presidenti Mutharika patën një konferencë të përbashkët me gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtarë Kamuzu. Duke folur për rëndësinë e kësaj vizite, Presidenti Sejdiu tha se "gjatë këtyre ditëve sa isha në vizitë këtu, pata takime të ngjeshura, pata mundësi që të bisedoj me Presidentin Mutharika për shumë çështje, por edhe për çështjet që kanë të bëjnë me raporte bilaterale. Tani kemi para vetes një epokë të re të zhvillimit dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Vërtet, ka distancë të madhe gjeografike, por ka afersi shumë të madhe shpirtërore. Jemi dy popuj që kemi pasur zhvillime interesante të kohëve të kaluara dhe përjetime që nuk dëshirojmë t'i ketë askush në këtë kohë dhe as në kohët që do të vijnë".
"Unë besoj fuqishëm në rolin që ka Presidenti Mutharika dhe besoj që pikërisht me angazhimet e tij, shumë vende që kanë nevojë t'u jepet informacion plus për Kosovën, ky do t'i thotë në mënyrë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe me argumente të forta".
Presidenti Sejdiu njoftoi se e ka ftuar Presidentin Mutharika te vizitojë Kosovën.
Ndërsa, Presidenti i Republikës së Malavit, Binu Wa Mutharika, theksoi se vendi i tij dhe ai personalisht në cilësinë e udhëheqësit të Unionit Afrikan, do të bëjë çmos për ta mbështetur Republikën e Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe të sigurimit të njohjeve të reja të pavarësisë së vendit tonë nga sa më shumë shtete të Afrikës. Ai rikonfirmoi se tashmë ua ka përsëritur ftesën vendeve afrikane që ta shqyrtojnë sa më parë njohjen e Republikës së Kosovës. /m.sh//a.ke/