Malawi - Sejdiu: Argumentet Pro Pavarësisë Së Kosovës Janë Të Parrëzueshme
PRISHTINË, 18 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Argumentet pro pavarësisë së Kosovës janë të parrëzueshme, tha Presidenti Fatmir Sejdiu në një fjalim sot në Parlamentin e Malawit, ku po zhvillon një vizitë zyrtare.
"Kosova është shpallur e pavarur me vullnetin politik të popullit, të shprehur nga përfaqësuesit e tij më 17 shkurt 2008", tha Sejdiu, i cili shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e veçantë për vendimin e Malawit për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar.
"Kjo njohje është posaçërisht e rëndësishme për ne edhe për faktin se ishte e para pas shqyrtimit gojor të nisur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mendim këshillëdhënës lidhur me pavarësinë e Kosovës. Besojmë që shpejt do të kemi edhe mendimin e kësaj gjykate pro aktit të ligjshëm të popullit të Kosovës, i cili do të nxisë edhe vendet që kanë hezituar deri tani të marrin vendimin e duhur për njohjen e pavarësisë së vendit tim", theksoi Sejdiu.
Para pak ditësh, shtoi ai, Tribunali i Hagës e cilësoi krimin e bërë nga forcat serbe në Srebrenicë - Bosnjë e Hercegovinë, si gjenocid duke dhënë dënime kapitale për krimet e bëra ndaj popullsisë civile.
"Unë vetëm po jua rikujtoj se ishte e njëjta armatë, ishin të njëjtat njësi militare e paramilitare ato që e përgjakën Kosovën më 1998 dhe 1999, duke lënë pas vetes mbi 12.000 viktima civile, shumë prej të cilëve pleq, gra dhe fëmijë", tha Sejdiu.
A shtoi më tej se me historinë e saj, me përjetimet e rënda dhe me përpjekjet e gjata për liri, demokraci e pavarësi, Kosova është rast tërësisht sui-generis, ashtu sikundër është cilësuar edhe nga ish-Presidenti i Finlandës, nobelisti i Paqes Marti Ahtisari, i cili ishte i deleguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në procesin ndërkombëtar të caktimit të statusit final të Kosovës.
"Prandaj, asnjë përpjekje për të bërë krahasim në mes të Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër kudo në botë nuk është i qëndrueshëm dhe arsyeshëm. Kosova ka qenë një vend i pushtuar me dhunë dhe që ka fituar lirinë e vet pas një rezistence shumë të gjatë paqësore dhe me luftë dhe falë ndihmës kruciale ndërkombëtare të botës demokratike, e cila ndërhyri në Kosovë për ta shpëtuar popullin e saj nga zhbërja fizike", theksoi Presidenti Sejdiu.
Ai theksoi se Republika e Kosovës po dëshmohet fuqishëm si një faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke kontribuar drejtpërdrejt për nxitjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit.
Në vitin e tretë të pavarësisë së saj, Republika e Kosovës ka vizion të qartë për të ardhmen e saj, tha ai dhe shtoi se populli dhe institucionet e vendit synim parësor e kanë integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. "Ju siguroj që të gjithë qytetarët e Kosovës janë shërbyes të devotshëm të jetësimit të kësaj ëndrre të kahmotshme, e cila tashmë po shfaqet qartë në horizont", u shpreh Sejdiu.
"Vizita ime në Malawi është një mundësi e veçantë që ne të zhvillojmë dhe shtrijmë në shumë fusha bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy popujve. Dy vendet tona, jam shumë i bindur, do të kenë rastin të punojnë bashkë për të mirën e popujve në interes të paqes dhe zhvillimit", shtoi Sejdiu. /s.s./