Malësi E Madhe, Shkëndija Elektrike, Përfshihet Nga Flakët E Zjarrit Banesa
MALËSI E MADHE, 19 Qershor /ATSH- G. Marku/ - Shkëndija elektrike ka qenë shkaku i rënies së zjarrit në një banesë dykatëshe në fshatin Pjetroshan të Komunës së Kastratit, në Malësinë e Madhe.
Burime zyrtare pranë policisë lokale bënë të ditur të shtunën për ATSH-në se shkaku i rënies së zjarrit ka qënë bashkimi i dy telave të energjisë elektrike që kalonin në atë zonë, kur shkëndija elektrike shkrumboi banesën dhe bazën materiale të bagëtive.
Nga i njëjti burim mësohet se fillimisht zjarri ka rënë në bazën ushqimore të bagëtive, bar i thatë, ku janë djegur plotësisht tre mullare me sanë (bar i thatë), ndërkohë që era e fortë që ka qënë e pranishme gjatë të gjithë ditës së sotme në territorin e qarkut të Shkodrës, ka favorizuar spostimin e saj edhe në një banesë të vjetër, që ndodhej aty pranë, të cilën e ka djegur plotësisht.
Shërbimet zjarrfikëse të Malësisë së Madhe, të mbështetura edhe nga ato të Shkodrës, kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit, duke mos e lënë atë të përhapej në banesat e tjera të fshatit, të ndodhura shumë pranë vendit të ngjarjes.
Ndërkohë, ekspertët e policisë si dhe ata të sektorit të mbrojtjes së zjarrit po hetojnë rreth shkaqeve të rënies së këtij zjarri. /m.sh//a.ke/