Meta: Gjermania Mbështet Shqipërinë Për Integrimin Në Be
TIRANE, 19 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - "Gjermania do të mbështesë Shqipërinë për liberalizmin e vizave dhe integrimin në BE", deklaroi për mediat zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pas vizitës së tij në Berlin.
Kryediplomati shqiptar tha se "vizita në Berlin tregon se marredhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë po vijnë duke u forcuar dhe konkretizuar, tregues i së cilës ishte nënshkrimi edhe i Marrëveshjes për Transportin Detar midis dy vendeve tona".
Berlini zyrtar konfirmoi se ndihma për Shqipërinë nuk do të cënohet, por vëmëndja do të drejtohet për tërheqjen e investitorëve gjermane në vëndin tonë.
Z. Meta tha se "ne do të vazhdojmë ta përforcojmë këtë proces, pasi Shqipëria është në një moment tepër pozitiv të thithjes së investimeve të huaja, sepse vendi ofron mundësi të ndryshme, sidomos përmes dhënies së konçesioneve".
"Ka një legjislacion tepër të avancuar dhe pothuajse në përputhje me legjislacionin e vendeve të BE-së dhe padyshim që në këtë drejtim ne presim rezultate konkrete së afërmi", shtoi Meta.
Ndërsa përsa i përket integrimit europinan dhe situatës politike në vënd, Meta nënvizoi se "u theksua mbështetja e Gjermanisë për të bërë hapa të tjerë përpara për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor".
"Natyrisht që u theksua rëndësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut politik në Parlament, si dhe mirëfunksionimit të Parlamentit, si një element i rëndësishëm për të çuar përpara reformat që kërkon integrimi evropian i vendit", tha zv/kryeministri Meta.
Gjatë vizitës së tij në Berlin, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u takua me përfaqësues të lartë të të gjitha grupeve parlamentare në Bundestag, me Këshilltarin për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Kancelares Merkel, z. Heusgen, përfaqësues të Partisë Social-Demokrate gjermane, me Presidenten e Fondacionit Friedrich Ebert etj. /a.ke/