Moti I Keq - Francë - Qeveria Deklaron Statusin E Fatkeqësisë Natyrore
PARIS, 18 qershor /ATSH-ANSA/ - Qeveria franceze ka deklaruar statusin e fatkeqësisë natyrore për rajonin Var në juglindje të Francës që ditë më parë u godit nga shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje që shkaktuan vdekjen e të paktën 25 personave, njoftuan burime pranë kryeministrit Francois Fillon, i cili zhvilloi sot në Paris një mbledhje ndërministrore për situatën.
Kreu i qeverisë kërkoi që të "vazhdojnë përpjekjet për një mobilizim më të fortë të shërbimeve të shtetit, në veçanti të mjeteve ushtarake, në krah të ekipeve të shpëtimit".
Për mos të krijuar pengesa në operacionet e shpëtimit Fillon i kërkoi të gjithë atyre që nuk banojnë në zonat e goditura "të evitojnë qëndrimet në këto zona veç rasteve të nevojshme duke respektuar udhëzimet e autoriteteve lokale".
Kryeministri i kërkoi gjithashtu ministrave kompetentë të bëjnë një bilanc për pajisjet e parashikimeve dhe parandalimeve të rreziqeve lidhur me shirat e rrëmbyeshëm të llojit mesdhetar".
Presidenti Nicolas Sarkozy pritet të shkojë të hënën në rajonet e goditura nga moti i keq.
/e.v/