English

"Nata E Bardhë E Kulturës Shqiptare", Nesër Në Lezhë

TIRANË, 18 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Lezha do të jetë qyteti i radhës që Universiteti Europian për Turizmin do të promovojë në kuadër të evenimentit "Shqipëria është kulturë", etapa e parë e të cilit ishte manifestimi me mijëra të rinj e të reja në parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier, pak javë më parë. Aktiviteti në qytetin e Lezhës është emërtuar Nata e bardhë e kulturës shqiptare. Ai do të startojë nesër pasdite me një konferencë për turizmin, një panair të produkteve tipike të kësaj zone, mes të cilave dhe fruti tradicional shega, dhe me një koncert të madh festiv gjatë gjithë kohës. Në konferencë për shtyp të zhvilluar sot në mjediset e Hotel "Tirana" rektori i universitetit Prof. Dr. Salvatore Messina, tha se "zgjodhëm Lezhës, pasi është një qytet mjaft i rëndësishëm, i cili ka pasuri të mëdha natyrore, por edhe kulturore, që vlejnë të vihen në pah për të zhvilluar në këtë mënyrë turizmin e qëndrueshëm. Është një qytet që ka shanse mjaft të mëdha për të zhvilluar turizmin si të tillë në territorin e saj. Dhe bashkëpunimi i Universitetit Evropian të Turizmit, ka pikërisht si qëllim kryesor realizimin e pikave të një strategjie që presupozon zhvillimin e turizmit në të gjithë vendin". Kryetari i bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, vlerësoi në fjalën e tij se "Lezha e meriton zhvillimin e një aktiviteti të tillë, ndaj jemi duke bashkëpunuar me Universitetin Evropian të Turizmit, për të lançuar të mirat e saj". Sipas tij, me këtë universitet bashkia e Lezhës ka edhe disa projekte të përbashkëta siç është ai i realizimit të masterplanit të qytetit, që është në fakt pjesë e një strategjie të tërë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm brenda tij. Lezha ka vlera historike dhe natyrore, vijoi kryebashkiaku Tusha, duke renditur historinë 3000 vjeçare të qytetit, zonën arkeologjike unike, Kuvendet e rëndësishme që janë zhvilluar aty, vendvarrimin e Skënderbeut, etj. Ndërsa Drejtori i Turizmit dhe Kulturës, në Ministrinë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Klodjan Pajuni, vlerësoi nismën e Universitetit Europian për Turizimin, (EUFT), duke e cilësuar atë si një ngjarje që vë në pah vlerat më të mira të kulturës së kësaj zone. Ai theksoi se "aktivitete të tilla i shërbejnë njohjes së kulturës nga vizitorët e huaj, por dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për pasuritë që kanë". Lezha, qyteti në veriperëndim të vendit ka vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm turistike, por edhe historike, arkeologjike, të cilat e kthejnë atë në një zonë mjaft interesante për të zhvilluar turizmin. Ai përbën një park natyror në vetvete, pasi aty gjen lumin, detin, laginat e mrekullueshme etj. Kjo iniciativë e EUFT parashikohet të zhvillohet çdo vit dhe synon të tërheq turistë jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në dimër. /k.sh/
KOMENTE