English

Në Dhërmi Sezoni Veror Tashmë Ka Filluar

-Reportazh- HIMARË, 19 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-"E nisa aktivitetin e lokalit dy ditë më parë. Por edhe më herët mund ta kisha filluar sepse edhe sezoni veror ka startuar prej shumë ditësh", thotë Pirroja, pronari i lokalit "Saint Tropez 2", në plazhin e Dhërmiut. Pirroja ka bërë një investim të konsiderueshëm duke ndërtuar një lokal mjaft simpatik. I nisi punimet në muajin janar dhe tashmë lokali është gati. Dje ai priti edhe klientët e parë. Ishte një ditë e mirë për biznesin e tij. Por ai ende nuk është i sigurtë për ditët në vijim. Kostoja financiare e lokalit, sipas tij, është e lartë dhe është kjo arsyeja që atë nuk e mban vendi. Mundohet t'i qëndrojë në kokë personelit për gjithçka që kanë nevojë klientët, për cilësinë e shërbimit. Kërkon që gjithçka të jetë sa më e mirë, cilësia e gatimit, mënyra e servirjes. "Dua që klientët të kënaqen dhe të largohen me mendimin që të kthehen sërish këtu", thotë Pirroja. Në fakt, fluksi i këtyre ditëve në plazh e ka çliruar atë disi. "Fundjava e kaluar ishte vërtetë e mbarë dhe plazhi u mbush plot me pushues nga të gjitha rrethet e vendit. Kjo më bën të ndihem optimist që sezoni do të vazhdojë të jetë i tillë", tregon Pirroja. Më tej, në brezin e plazhit me zhavorr të imët, ngrihen çadrat. Një pjesë prej tyre janë të mbushura me plazhistë, të cilët mundohen të përfitojnë nga hija e tyre, në këtë mesditë të nxehtë qershori. Të shtunën, në një pjesë të këtij plazhi do të vendosë çadrat dhe shezlonët edhe Pirroja 46 vjeçar. Është një mundësi më shumë për biznesin e tij. Në krah të lokalit është Disko "Havana" dhe Pirroja e vlerëson këtë fakt si një faktor pozitiv për biznesin e vet. Është data 18 qershor dhe, tashmë sezoni veror këtu në plazhin e Dhërmiut, pranë kampit, ka nisur plotësisht. Shumëkush prej operatorëve turistikë që ushtrojnë aktivitetin këtu është i bindur se gjithçka do të jetë më e mbarë se viti i kaluar. Ndonëse, ditët e nxehta mbërritën me pak vonesë, fluksi i pushuesve erdhi menjëherë. "Nuk ka qenë kështu as vjet, as parvjet", thotë Markoja, pronar i një kompleksi të vogël hotelerik, që tashmë e ka gati gjithçka për sezonin dhe, madje, ka bërë edhe prenotimet për pothuajse të gjitha ditët e korrikut dhe të gushtit. Ndërkohë, Pëllumbi, një tjetër operator që ka një kompleks të vogël në skajin tjetër të këtij mjedisi, tregon se fundjava e kaluar ishte një shenjë bindëse se Dhërmiu do të mbetet një nga destinacionet më të preferuara këtë verë për pushues nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga Kosova. "Ja, të dielën, këtu ishin edhe një numër i konsiderueshëm kosovarësh, të cilët ishin nisur në orët e para të mëngjesit dhe mbëritën afër mesditës", tregon ai. -Rruga e rikonstruktuar, një faktor më shumë- Rruga e rikonstruktuar, e zgjeruar dhe e asfaltuar në më shumë se 80 për qind të gjatësisë së saj, është një faktor më shumë për fluksin e pritshëm të këtij sezoni në plazhin e Dhërmiut. Deri para pak muajsh, ajo ishte ende mjaft e ngushtë, sikundër ka qenë për vite me radhë. Pushues të shumtë kujtojnë orët e sikletshme që kalonin, sa herë bllokohej qarkullimi në këtë pjesë të bregdetit, veçanërisht në fundjavë. "Tashmë, me zgjerimin dhe asfaltimin e saj, rruga është e mjaftueshme për të përballuar çfarëdo fluksi", thotë Pirroja. Kjo do të bëjë që, pushuesit të mos kthehen më mbrapsht, sikundër ndodhte shpesh në vitet e kaluara, kur bllokimi i qarkullimit në rrugën që të çon tek kampi, ishte një dukuri e zakonshme. /s.s./
KOMENTE