English

Negociatori Europian, Joseph Daul, Javen E Ardhshme Per Vizite Zyrtare Ne Tirane

TIRANE, 19 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/. - Kryetari i Grupit të Partive Popullore Europiane në PE, Joseph Daul, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri në datën 23 qershor. Axhenda për vizitën dyditore në Tirane e negociatorit evropian është bërë e ditur në faqen zyrtare të Partive Popullore Europiane. Në njoftimin e publikuar thuhet se "Joseph Daul pritet të zhvillojë takime me Kreun e Shtetit Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, zv/Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, si dhe me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli". Në axhendën e publikuar në faqen e PPE-së, nuk është bërë e ditur nëse ai do të ketë ndonjë takim edhe me Kryetarin e PS-së, Edi Rama. Kjo vizitë vjen menjëherë pas përpjekjeve të tij, por edhe Kreut të Grupit Parlamentar të të Majtëve të PE-së, Martin Shulz, për zgjidhjen e situatës politike të krijuar në Shqipëri. Pas përfundimit të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së më 14 qershor, u deklarua se "Këshilli përsërit se forcat politike në Shqipëri duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për kapërcimin e krizës politike". Ndërkohe qe u nënvizua fakti se "zgjidhja duhet të jetë në një mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë". Në 20 maj, dy politikanët e parlamentit europian, Joseph Daul dhe Martin Shulz, organizuan një takim në Strasburg të Francës mes lidërve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, për të ndihmuar në mbylljen e grevës së urisë së deputetëve të PS-së dhe rikthimin e opozitës në parlament. /a.ke/
KOMENTE