English

Ohër, Festivali Ballkanik pa shqiptarë, ftohen grupe deri nga Australia dhe Nigeria

Ohër, 19 qershor, NOA - Festivali tradicional ballkanik i këngëve dhe valleve popullore, që tradicionalisht mbahet në Ohër, këtë vit nga data 6-11 korrik, në skenën e Sarajit të Poshtëm, do të grumbullojë ansamble dhe grupe nga shumë vende të botës, ndërsa janë anashkaluar ansamblet dhe grupet nga Shqipëria dhe Kosova.

Organizator dhe realizues i këtij festivali ndërkombëtar është Qendra për Kulturë në Ohër, me mbështetjen financiare të Ministrisë së kulturës, nën kujdesin e Kuvendit të Maqedonisë.

Sipas drejtoreshës së Qendrës për Kulturë në Ohër, Dragana Boceska: “Sivjet, ashtu si dhe vitet tjera, do të ketë një program të pasur me karakter internacional me pjesëmarrje të patjetërsueshme të vendeve ballkanike dhe europiane me një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve, që dëshmon për karakterin internacional të këtij festivali”.

Në edicionin e sivjetmë të këtij festival janë ftuar dhe do të marinë pjesë ansamble nga: Turqia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Çekia, Australia, Nigeria, Bregu i Fildishtë dhe natyrisht nga Maqedonia.

Shikuar nga vendet pjesëmarrëse, bie në sy se Shqipëria dhe Kosova, si vend ballkanik, nuk janë ftuar dhe nuk marrin pjesë në këtë festival, në të cilin ka vend për Australinë, Nigerinë dhe Bregun e Fildishtë e jo edhe për Shqipërinë, që ka qenë pjesëmarrëse tradicionale në këtë festival edhe në rrethana tjera, si dhe Kosovën, përkundër faktit se titullari i këtij festivali është “Festivali Ballkanik i Këngëve dhe valleve popullore”, e jo festivali interkontinental!

Sido që të jetë, në këtë festival nuk do të ketë asnjë ansambël shqiptar, nëse nuk ndërhyhet në nivele më të larta, nëse kemi parasysh marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën, për bashkëpunim në të gjitha fushat.

m.xh/NOA/INA

KOMENTE