English

Partia Socialiste: Ekonomia shqiptare është në rënie pikjatë

Tiranë, 19 qershor, NOA – Situata ekonomike në vend është cilësuar sot nga Partia Socialiste si një problem të cilin qeveria nuk po e trajton në mënyrën e duhur. Sekretari për Çështjen Ekonomike në PS, Ervin Bushati, në një deklaratë për mediat u shpreh se ekonomia në vend ka shënuar rënie gjatë kohëve të fundit.

Z.Bushati tha se ministria e Financave “ka bërë një punë mjerane, çka ka sjellë tkurrje të gjithë ekonomisë së vendit”.

Duke ju referuar të ardhurave të të publikuara nga institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare, Bushati theksoi se në të gjithë treguesit ekonomikë ka rënie. Sipas tij qeveria nuk ka marrë masat e duhura dhe nuk ka dëgjuar paralajmërimet e partnerëve dhe të vet opozitës.

“Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar ka rënë 6 % nga parashikimi që është indikatori më real i tkurrjes në gjithë spektrin ekonomik. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë – 12% që shpalos një alarm të papunësisë në rritje”, tha Bushati.

Bushati theksoi se vendi ndodhet në krizë serioze dhe qeveria nuk po merre masat e duhura.

“Të gjitha të dhënat e vetë qeverisë, japin pamjen e një fundosje të pandalshme - dhe të pakthyeshme - të ekonomisë sonë të përbashkët, nga vete drejtuesit e shtetit. Në këto kushte, rritja e premtuar e rrogave dhe pensioneve e vë qeverinë Berisha në rolin e një bande amatore që vazhdon bën muzikë, ndërkohë që anija po fut ujë nga të gjitha anët”, u shpreh Bushati.

m.xh/NOA

KOMENTE