English

Pd: Partia Socialiste Të Distancohet Nga Elementët Kriminalë

TIRANË, 19 Qershor/ATSH/.- Partia Demokratike i bëri thirrje sot Partisë Socialiste që të distancohet nga elementët kriminale dhe nga eksponentë apo drejtues të kupolës socialiste që kanë lidhje me botën e krimit. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se "policia arrestoi dje njërin nga segmentet kryesore të krimit të organizuar dhe bashkëpuntorin kryesor të Edi Ramës në përpjekjet për bllokimin e rrugëve dhe mosbindjen civile". Arrestimi i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga antarët kryesore të bandës së Zani Caushit, sipas Mëhillit, "dëshmon qartë edhe një herë lidhjet e Edi Ramës dhe bllokmenëve të rinj me elemente të rrezikshëm të krimit të organizuar". "Pas vërtetimit të lidhjeve të ngushta të Ramës me Aldo Baren, pas fakteve të nxjerra nga Prokuroria italiane të bisedave telefonike kilometrike dhe deponimeve të Don Dollakut, që faktojnë lidhjet e kësaj bande me Ramën dhe eksponentë të tjerë të kupolës socialiste, lidhjet e fundit me bandën e Zani Caushit dëshmojnë fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Edi Ramës dhe bllokmenëve të rinj", tha Mëhilli. "PD i bën thirrje z. Rama të heqë dorë nga rekrutimi i kontigjenteve kriminale dhe pjesës më të errët të shoqërisë shqiptare", tha ajo. Policia e Tiranës arrestoi të premten 33 vjeçarin e shumëkërkuar Skerdian Bajrami, i cili ishte dënuar në mungesë si anëtar i bandës së Zanit të Vlorës, por që është identifikuar dhe si një nga protagonistët që ka marrë pjesë në bllokimet e paligjshme të akseve rrugore nga militantët e Partisë Socialiste të Edi Ramës në muajin maj, duke kundërshtuar dhe forcat e policisë në detyrë./m.m//a.ke/
KOMENTE