English

PD, Ramës: Me kriminelin Skerdian Bajrami doje të bllokoje rrugët

Tiranë, 19 qershor, NOA – Pas arrestimit dje të Skerdian Bajramit, njërit nga eksponentët e bandës kriminale të Zani Çaushit, Partia Demokratike rishtas akuzon kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama për lidhjet e tij mafioze me bandat kriminale, kur i arrestuari më i fundit është sipas demokratëve bashkëpunëtori kryesor në përpjekjet e Ramës për të bllokuar rrugët e qyteteve me mosbindje qytetare.

Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli deklaroi nga selia blu se “arrestimi i Skerdian Bajramit, një nga anëtarët kryesor të bandës së Zani Çaushit, dëshmon qartë edhe një herë lidhjet e Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj me elementë të rrezikshëm të krimit të organizuar”.

Zëdhënësja e PD-së vazhdon me akuzat e saj nga PS-së, duke thënë se “pas vërtetimit të lidhjeve të ngushta të Ramës me Aldo Baren, pas fakteve të nxjerra nga Prokuroria Italiane të bisedave telefonike kilometrike dhe deponimeve të Don Dollakut që faktojnë lidhjet e kësaj bande me Ramën dhe eksponentë të tjerë të kupolës Socialiste, lidhjet e fundit me bandën e Zani Çaushit dëshmojnë fytyrën e vërtetë të qëllimeve të Edvin Ramës dhe bllokmenëve të rinj”.

Partia Demokratike duke i konsideruar të rrezikshme këto lidhje për Partinë Socialiste, i bën thirrje asaj të distancohet nga këta elemente kriminalë ashtu edhe nga eksponentë apo drejtues të kupolës socialiste që kanë lidhje me botën e krimit.

Madje, PD, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, i kërkoi Edi Ramës të heqë dorë nga rekrutimi i kriminelëve pranë Partisë Socialiste.

mit.NOA

KOMENTE