Portret - Saramango, Nobelisti I Revoltuar
LISBONË, 18 qershor /ATSH-AFP/ - Shkrimtari portugez Jose Saramago, fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1998, i cili vdiq sot në moshën 87 vjeç në ishullin spanjoll Lanzarote, është autori i romaneve të shumtë në kufirin e fantastikes që ftojnë për revoltë kundër gjendjes së botës.
Lindur në nëntor të vitit 1922 në fshatin Azinhaga, në qendër të vendit, djalë i një familje fshatarësh pa tokë të ardhur në Lisbonë, braktis liceun në moshën 12-vjeçare për të ndjekur një kurs për bravapunues, zanat që e ushtroi për dy vjet.
Pas botimit të romanit të parë në vitin 1947, "Tokë mëkatesh", ai do të presë 19 vjet për të publikuar librin e tij të dytë, përmbledhjen "Poema të mundshme"
Ndërkohë ai punon në administratë ose në shtëpi botuese dhe bashkëpunon me disa gazeta.
Anëtar i Partisë Komuniste, në atë kohë ende e paregjistruar, në vitin 1969, ai merr pjesë në Revolucionin e karajfilave të 25 prillit të vitit 1974 që shënon fundin e diktaturës së Antonio de Oliveira Salazar.
Romani i tij i dytë, "Manual pikture dhe kaligrafie", botohet në vitin 1977. Por, vetëm në vitin 1982, kur ishte 60 vjeç, ai bëhet i njohur me "Zoti dorac", roman dashurie me ngjarje të vendosura në shekullin e 18-të.
Në vitin 1992, ai bën skandal në Portugali me librin "Ungjilli sipas Jezu-Krishtit", ku ai tregon sei si Jezui humb virgjërinë me Marie-Madelenën dhe se Zoti e përdor atë për të shtrirë dominimin e tij në tokë. Atëherë Saramango largohet nga vendi i tij për t'u vendosur në arkipelagun spanjoll të Kanarieve.
Në gusht të vitit 2008, kur sapo e kishte marrë veten nga një pneumoni e rëndë, ai botoi "Udhëtimi i një elefanti", që u pasua një vit më vonë nga libri "Kaini", ku flitet në mënyrë ironike për vrasjen e Abelit nga vëllai i tij Kaini.
Gjatë prezantimit të librit të tij, Saramago, i cili e përshkruan veten si "komunist anarkist", ka shkaktuar polemikë duke e cilësuar biblën si "manual të zakoneve të këqija".
Në moshën 60 vjeçe, Jose Saramago publikoi rreth 30 vepra, romane por edhe poezi, ese dhe pjesë teatri.
/I.Pu.