Prishen Dhjetë Objekte Pa Leje Në Bregun E Liqenit Të Shkodrës
SHKODËR, 18 Qershor/ATSH-G. Marku/- Mbi dhjetë objekte të ndërtuara pa leje përgjatë bregut të Liqenit të Shkodrës, si dhe të tjera përreth kalasë së lashtë Rozafat, janë prishur sot nga Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Shkodrës. Aksioni i nisur një ditë më parë ka vijuar edhe sot, dhe sipas drejtorit të këtij inspektoriati, Roland Çomo, ai do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke zbatuar kështu një vendim të Këshillit Bashkiak të Shkodrës për pastrimin e territorit të kësaj zone turistike nga ndërtimet e paligjshme.
Në një prononcim për ATSH-në zoti Çomo bëri të ditur se aksioni është përqëndruar kryesisht në zonën e Shirokës dhe të Zogajve, dy qëndra miniplazhesh këto që janë lakmuar më tepër nga abuzuesit duke ndërtuar pa leje. Sipas tij, pastrimi i këtyre zonave do t'i japë mundësinë zbatimit të një projekti të pushtetit lokal dhe të mbështetur nga GTZ-ja gjermane, e cila parashikon rikthimin e tyre në identitet.
Në listën e ndërhyrjeve të para nga ana e inspektoriatit ndërtimor bëjnë pjesë lokale shërbimi, shtëpi banimi dhe objekte të tjera shërbimi. Ky është vetëm fillimi i një aksioni të gjatë, i cili do të realizohet në disa faza, gjatë të cilit do të prishen shumë objekte të tjera shërbimi dhe pushimi të ndërtuar përpara shumë vitesh.
Aksioni i ndërtimoreve të Shkodrës në këtë zonë erdhi pas një ndërhyrje tjetër të bërë në një zonë tjetër turistike, siç është ajo rreth kalasë së lashtë Rozafat, ku u shëmbën edhe tre objekte të tjera të ndërtuara pa leje dhe që dëmtonin planin urbanistik të kësaj zone. /s.s./