English

Programi I Ullirit/ Dyfishohen Kerkesat Per Subvencion, Rriten Mbjelljet E Reja

-Zv.Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Fasllia, argumenton për ATSH-në faktorët që mundësojnë realizimin me sukses të projektit për zhvillimin e ullirit në Shqipëri- TIRANE, 19 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Zhvillimi i Ullishtarisë në Shqipëri, shpallur nga Qeveria si program madhor, po ecën drejt zbatimit me sukses nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, në një intervistë për ATSH-në, ben të ditur argumentat dhe faktorët që po bëjnë të mundur realizimin me sukses të projekit për zhvillimin e ullirit në Shqipëri. "Zhvillimi intensiv i Olivokulturës në Shqipëri, si një nga prioritetet kombëtare në vendin tonë, po merr "start", nga zbatimi i programit qeveritar për mbjelljen e 20 milionë fidanëve ullinj, në të gjithë vendin", tha ai. Në programin e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2010, janë planifikuar 15 milionë USD, nga të cilat 6,5 milion USD do të përdoren vetëm për programin e ullirit. Referuar statistikave, evidenton Fasllia, kërkesat për mbjellje të ullishteve të reja këtë vit janë dy herë më të larta se ato të vitit të kaluar, çka tregon se ky program është mirëpritur nga komuniteti i fermerëve dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), që e vlerësojnë si një hap pozitiv, që do të rrisë ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me kulturën e ullirit, dhe do të nxisë punësimin dhe të ardhurat në sektorin e industrisë ushqimore të vajit të ullirit. Për vitin 2010, thotë Fasllia, "numri i fermerëve që do të mbjellin ullishte të reja do të jetë 4500, nga 2500 që ishin në 2009, ndërsa siperfaqja e mbjelle me ullishte do të rritet në 2600 ha nga 1600 që u mbollen në 2009". Ai nënvizon se perveç mbjelljeve me subvencion nga shteti, nga të dhënat statistikore rezulton se çdo vit fermeret mbjellin me fondet e tyre siperfaqe më të vogla se 2000 m2, të cilat në total në shkallë vendi, shkojnë rreth 300 ha. "Përveç mbjelljeve të reja në ullishte, pritet që një numer i madh fermerësh të përfitojnë mbështetje financiare edhe për futjen e teknologjive moderne në ujitje në ullishte ( ujitje me pika), ndërsa për sa i përket prodhimit të fidanëve të ullirit, krahasuar me vitet tjera, sivjet kemi nje rritje të konsiderueshme të prodhimit te tyre nga fidanishtet e vendit si dhe të importit", tha Fazllia. Numri i fidanëve të prodhuar dhe importuar gjithsej për vitin 2010 arrin 1.100.000 copë, nga të cilët 70 % janë të prodhuar në vend. Fasllia thekson se, "programi për zhvillimin e ullishtarisë do të jetë një prioritet i qeverise shqiptare edhe ne 3-4 vitet që vijnë. Për këtë qëllim, në planin e buxhetit afat-mesem 2011-2013 është parashikuar që fondi për programin e ullirit të rritet me 25-30 % çdo vit". Përveç mbjelljeve të reja, Fasllia thotë se "është menduar që vitin që vjen të fillohet edhe me rikonstruksionin e ullishteve ekzistuese në disa qarqe kyesore të vendit që kanë ullishte si Vlora, Berati dhe Fieri". Projekti për zhvillimin e ullirit, një nga vendimet më të drejta të qeverisë shqiptare, pasi pritet të rrisë ndjeshem prodhimin e ullirit dhe te vajit të ullirit në 3-4 vitet që vijnë./s.s./
KOMENTE