Nju Jork, 19 qershor, NOA - Raporti më i ri i Kombeve të Bashkuara për Trafikun e Drogës rendit Maqedoninë si një nga vendet me shifrën më të lartë të trafikut të drogës. Në raportin theksohet se për çdo vit në Maqedoni kalojnë 20 ton deri në 25 ton heroinë. Raporti bënë të ditur se droga vjen nga Afganistan dhe më pas ajo transportohet në Evropën Perëndimore.
Maqedonia shfrytëzohet si pikë tranziti për të kaluar më pas lëndën narkotike drejt Evropës Perëndimore.
Një prej rrugëve nga ku kalon droga pas Maqedonisë është dhe Shqipëria, duke përfunduar me në Itali dhe Zvicër, ose nga Sllovenia, duke u shpërndarë më pas në vendet tjera të BE-së, raporton agjencia INA.
Në raportin e OKB-së theksohet se në Ballkan në përgjithësi shumë pak kapen sasi droge dhe se ekziston shkallë e ulët e zbulimit.
“Kontrollet e dobëta kufitare, joefikasiteti i zbatimit të ligjeve, shkalla e lartë e papunësisë, rrogat e ulëta krijojnë kushtet për zhvillimin e korrupsionit dhe me këtë vështirë zbulohet kontrabanda me drogë”, theksohet në raportin e OKB-së në Nju Jork. Mbi 55 miliardë dollarë për çdo vit përfitohen nga kontrabanda me drogë.
Droga afgane nga Ballkani përfundon në 21 për qind në Britani, 20 për qind në Itali dhe pjesa tjetër në Francë dhe Gjermani.
m.xh/NOA/INA