Reportazh / Delvina, Një Ofertë E Pasur Për Kombinimin E Turizmit Rural Me Atë Kulturor
DELVINË, 19 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Shtatë vjet më parë, Shuaip Mehmeti, sot 55 vjeç, arsimtar, i ka pasur të gjitha mundësitë të shpërngulet nga Delvina në Sarandë, por një veprim të tillë nuk e ndërmori kurrë.
"Sinqerisht kisha dëshirë të filloja një jetë të re, por Saranda dhe Delvina nuk ndryshojnë shumë me njëra-tjetrën në aspektin social dhe kulturor", thotë Mehmeti, duke nënvizuar se ofertën e kishte bërë një shkollë 9-vjeçare jopublike.
Sipas tij, Delvina ka një reliev të larmishëm, hidrografi të pasur, kushte të favorshme klimaterike, pak a shumë të ngjashme me qytetin e Sarandës.
"Fshatrat e kësaj zone ruajnë disa tipare të dallueshëm nga vendbanimet e tjera, që përmbajnë mjaft potenciale natyrore, historike e kulturore me vlera për zhvillimin e turizmit rural", thotë Mehmeti, duke shtuar se Delvina me origjinë mesjetare, ka një sipërfaqe 367 km2, 13 mijë banorë dhe kufizohet nga Labëria në veri dhe Çamëria në jug.
Mehmeti mendon se "Delvina ka variacione të mëdha natyrore, peizazhe origjinale, pasuri kulturore dhe arkitekturë të veçantë. Turizmi rural është një formë e kohëve të fundit, i cili po merr zhvillim dhe një karakter më të organizuar".
Daniela Qiqi, pedagoge e degës së turizmit pranë Universitetit "Eqrem Çabej", thotë se turizmi rural është vend i përkryer për qetësi, çlodhje dhe aventurë.
"Banorët janë njohës të traditave të lashtësisë, sidomos për mbarështimin e blegtorisë, frutikulturën dhe kultivimin e perimeve, tradita këto të bazuara nga prania e përhershme e ujrave të Kalasës dhe Bistricës, të cilat përbëjnë një meny të pasur me kalori", shprehet Qiqi, duke nënvizuar se në fshat turisti krahas verës, rakisë, vajit të ullirit, mishit të hellit e bërxollës, gatime tradicionale, si kukureci, lakrori, pepeku, djathi i bardhë i deles dhe dhisë, janë produkte origjinale agrobujqësore të standardit BIO.
Qiqi mendon se shtëpitë e fshatit mund të adaptohen lehtësisht për qëllime turistike, pasi ka qetësi dhe ndodhen larg qendrave urbane.
"Shtëpitë e fermerëve të Delvinës janë të thjeshta, me orendi origjinale, intime dhe arkitekturë modeste, gjë që janë shumë të preferuar nga turistët e huaj", thotë Qiqi.
Sipas saj, për zhvillimin e turizmit ka rëndësi plotësimi i kërkesave turistike, ku vizitori vendas apo i huaj manifeston preferenca për të provuar diçka ndryshe.
Nga ana tjetër, Dhimitër Çondi, arkeolog, thotë se rrethi i Delvinës ka në dispozicion shumë objekte dhe monumente kulturore-historike, por një pjesë e tyre nuk është promovuar ashtu siç duhet nga njësitë vendore.
"Kjo zonë përbën një ofertë të pasur për kombinimin e turizmit rural me atë kulturor", shprehet Çondi, duke e konkretizuar këtë fakt me komunën e Finiqit, që është ndërtuar mbi rrënojat e Fionikes antike, apo me Kishën Bizantine të Mesopotamit, që shumë vizitorë e vlerësojnë për arkitekturën e veçantë.
Për të, rëndësi kanë dhe objektet etnografike dhe jetën socialkultuore, të pasura me elementë tradicionale të veshjeve, këngëve, valleve etj.
"Kostumet ceremoniale janë të shumta dhe të larmishme. Ato dallohen nga thjeshtësia dhe të pangarkuara me qëndisje me fije ari e argjendi", thotë Çondi.
"Krahas civilizimit e përmirësimit të kushteve të jetesës, veshjet kanë evoluar, por gjithsesi elementet origjinale janë ruajtur me fanatizëm nga banorët e zonës", siguron Çondi, i cili sugjeron si të domosdoshme hartimin e një plani aftamesëm e aftagjatë për menaxhimin e turizmit nga strukturat e qeverisjes lokale.
"Njësitë vendore duhet të përpilojnë një strategji të qartë për të promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore. Kjo do të inkurajoj ide dhe iniciativa të reja për rritjen dhe zhvillimin të turizmit në rajonin e Delvinës", përfundon Çondi./s.s./