English

Reportazh/ Fier: Atelie "Shën Martini", Nga Qendër Antitrafik, Ne Vitrinen E Prodhimeve Artizanale

FIER, 19 Qeshor /ATSH, Rr.Isufaj / - Nga një Atelie artistike artizanale "Shën Martini" në Fier qysh në vitin 1994, në përgjigje të plotësimit të kërkesave për punë, ushqim dhe parandalimin e eksodit të vajzave të reja, sot, pas 16 vitesh ajo është shndërruar në qëndrën e rëndësishme të prodhimit dhe tregtimit të veprave artistike artizanale. "Hapja e Atelierit synonte frenimin e largimit të vajzave jashtë vendit dhe parandalimin e prostitucionit," tregon punonjësja e qendrës, Gjinovefa Çela funksionimit të saj. "Përmes aplikimit të kurseve, të rejat u aftësuan të prodhojnë vepra të ndryshme artistike artizanale, të cilat tregtohen në Itali.Vajzat dhe gratë e reja u punësuan në këtë minipunishte artizanale duke zgjidhur problemet ekonimike dhe demostruar traditën tonë artizanale," shton ajo. Sot Atelieria artistike artizanale "Shën Martini" është kthyer në një vëndtakim pune e formimi njerëzor, moral e fetar, që synon formimin dhe edukimin me vlerat e jetës, edukimit qytetar, etik, shpirtëror dhe human", thotë Motër Gracia,drejtuesja e saj. Sipas saj, edhe pse vajzat nuk kanë mbaruar ndonjë shkollë artistike, me punimet e tyre kanë mahnitur tregun Italian. "Vajzat i kanë duart të arta dhe punimet e tyre artizanale janë një mrekulli. Ato tashmë janë shumë të kërkuara dhe të tërhequra në tregun italian" thotë ajo, ndërsa na tregon stendat e ateliesë ku gjenden lloj-lloj punimesh artistike në gurë, mermer, argjilë, dru, qeramik, kashtë, tezgjah, qilima, mbulesa, etj. Moter Gracia e ka paisur me të gjitha pajisjet e nevojshme qendrën, duke e shndërruar në një punishte të prodhimit dhe reklamimit të vlerave të trëshëgimënisë kulturore. "Amforat e punuara nga duart e vajzave mund t'i gjesh si mjete zbukurimi në qindra shtëpi italiane", thotë Motër Gracia, ndërsa tregon disa dhjetra punime të punuara në gur e argjilë. "Shën Mëria dhe Jezusi të punuar në argjil janë një mrekulli, ndërsa trendafilat realizuar në argjil të pjekur janë dhurata më e bukur në ceremonitë dasmore në Itali", thotë ajo. Ndërsa flet për botën e zhurmëshme, ku modernia reflektohet në shkëlqimin e neoneve dhe reklamave marramëndëse, Garcia veçon punimet artistike artizanale të veçanta, me vlerë të pazëvendësueshme, edukative, artistike, historike dhe estetike. "Këto rrugica, veshje, mbulesa të qëndisura me lloj -lloj motive, çentrot e prodhimet e tezgjahut, kornizat dhe prodhime të kashtës, skulptura me imitime të veprave arkeologjike të Apollonisë, si dhe shumë të tjera që nuk i përkasin gjeografisë administrative të Fierit, por gjithë Shqipërisë, janë prezantimi më i mirë që i bëjnë vajzat tona kulturës sonë popullore, qytetërimit të lashtë dhe bashkëkohor jashtë vendit", mendon Çela. Një nga vajzat që punojnë në këtë qendër, Alketa Zaka ndërsa e quan bukuri të mbash artin gjallë dhe të jetosh me punën vetjake, shton se "qëndra për ne është sa galeri artistike, që na ndezi pasionin artistik për bukurinë e traditës, aq është dhe një mjet ekonomik"./n.m/
KOMENTE