Situata Politike/Anastasi: Kushtetuta Ka Hapesirat E Nevojshme Per Zgjidhjen E Situates Politike
E
- Në një intervistë për ATSH-në, konstitucionalistja Aurela Anastasi thotë se palët politike duhet të shfrytëzojnë hapësirën ligjore duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese -
TIRANË, 19 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Konstitucionalistja Aurela Anastasi vlerëson sugjerimet e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të cilat, sipas saj, "janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë" si hapësira ligjore për zgjidhjen e situatës politike në vend.
Në një intervistë për ATSH-në, ajo shprehet se për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, palët mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar verifikimin e zgjedhjes së deputetëve, një kompetencë kjo e institucionit që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
"Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë që çështja t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit, të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias", mendon Anastasi.
Në këtë drejtim, Aurela Anastasi, e cila është pedagoge e së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, shprehet se "edhe nga pikëpamja praktike, shfrytëzimi i kësaj hapësire ligjore është plotësisht i mundur, pasi nuk kërkon ndonjë kompromis paraprak nga palët".
Sipas saj, "çdonjëra prej palëve mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese përmes jo më pak se 28 deputetëve".
E vetmja gjë që mund të diktojë diskutim në këtë rast, sipas konstitucionalistes Anastasi, "është mënyra se si do të hartohet objekti i kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese".
"Mendoj se është më e drejtë që ky objekt të kërkojë verifikimin e zgjedhjes së deputetëve. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese është kompetente të vendosë për zgjedhshmërinë e deputetëve dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre (neni 131, pika (e) e Kushtetutës)", tha Anastasi. Sipas saj, "është më pak e arësyeshme dhe më pak eficente që të kërkohet interpretimi në lidhje me kushtetutshmërinë e komisionit hetimor parlamentar".
Ndërsa e gjykon "një opsion i mundshëm ligjor për zgjidhjen e çështjes", ajo mendon se "meqënëse është një mjet me karakter thellësisht politik që kërkon bashkëveprim dhe konsensus midis palëve, si dhe faktin që në praktikën parlamentare shqiptare nuk ka pasur suksesin dhe besueshmërinë e dëshiruar, se është fare pak i rekomandueshëm në këtë situatë, kur konflikti politik është zgjatur shumë dhe koha nuk pret".
Në qarqet e juristëve është diskutuar edhe një opsion tjetër për zgjidhjen e konfliktit. Anastasi informon se "ky opsion sugjeron që kërkesa të adresohet drejtpërdrejt pranë Komisionit të Venecias për të marrë opinionin e tij, pa pasur nevojë për gjykimin pranë Gjykatës Kushtetuese".
"Nga pikëpamja kushtetuese-ligjore është plotësisht e mundur që një Institucion Kushtetues t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Në këtë rast, kjo mund të realizohej nëpërmjet kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë. Por, edhe ky opsion mbështetet në vullnetin politik të palëve, të cilët duhet të bien dakord që të zgjedhin si arbitër Komisionin e Venecias dhe të zbatojnë vendimin e tij, sido që të jetë", tha Anastasi.
I vetmi opsion që nuk e kërkon medoemos këtë vullnet, sipas saj, "është ai përmes kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese". Por edhe në këtë rast, Anastasi sqaroi se "nevojitet që njëra palë të marrë nismën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit është një organ që nuk mund të vihet vetë në lëvizje".
E pyetur nga ATSH mbi ndryshimet që duhet të kryhen në Kodin e ri Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, Anastasi u shpreh se "Kodi Zgjedhor është ndryshuar shpesh, por kjo nuk e dëmton aspak qëllimin e tij për të realizuar zgjedhje të lira".
"Në përgjithësi, edhe në botë kodet zgjedhore janë mjaft të ndryshueshme. Prandaj, mendoj se e gjithë kjo situatë që u krijua duhet të shoqërohet rrjedhimisht me uljen e palëve në tryezë për të bërë sërish përmirësime në këtë kod", tha Anastasi.
Sipas saj, "duhet të parashikohen dispozita më të qarta për të bërë transparencën e procesit zgjedhor si gjatë procesit, ashtu edhe pas përfundimit të tij".
"Gjithashtu, fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshoi rrënjësisht nga ai organ që Kushtetuta e kishte krijuar dhe nga mënyra se si funksionoi deri në vitin 2008, bën që ky Komision të mos luajë më rolin e një organi me kompetenca quasi-gjyqësore", vijoi ajo.
Kjo për faktin sepse, sipas Aurela Anastasit, "organet quasi-gjyqësore, ashtu sikurse ato gjyqësore, duhet të përmbushin disa kushte, midis të cilave, kryesor është pavarësia dhe paanshmëria e organit".
Në këtë drejtim, ajo thekson se "përbërja e KQZ-së dhe mënyra e zgjedhjes së tij, tashmë e shndërron atë në një organ thellësisht politik".
"Ky fakt shtron nevojën që të rriten garancitë gjyqësore për zgjedhjet. Kolegjet zgjedhore mbeten e vetmja shkallë gjykimi për të drejtuar kërkesat e pretendimet e subjekteve zgjedhore. Mendoj se do të forcoheshin garancitë gjyqësore, nëse do të parashikoheshin edhe kërkesa të caktuara që mund të drejtoheshin pranë Gjykatës së Lartë, si organi gjyqësor i zakonshëm për të gjykuar zbatimin e Kodit Zgjedhor. Kjo, natyrisht, do forconte mekanizmat gjyqësorë të kontrollit të zgjedhjeve", tha konstitucionalistja Anastasi./s.s./