English

Sport-Botëror/ Kamerun - Danimarkë, Sfidë Për Pikët E Para Në Grupin E

TIRANË, 19 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kameruni dhe Danimarka do të kërkojnë pikët e para në grupin E, në përballjen e tyre sot në mbrëmje në Pretoria. Afrikanët u mundën 1-0 nga Japonia në ndeshjen e parë, ndërkohë që danezët pësuan një disfatë 2-0 ndaj Holandës. Të dy ekipet zhgënjyen në përballjet e para, sidomos Kameruni që u shfaq një skuadër pa ide të qarta në fushën e lojës, ndërsa futbollistët luanin pa asnjë përgjegjësi mbi supet e tyre, teksa në ndonjë moment dukej si një miqësore. Një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga trajneri Pol Lë Gen, i cili deklaroi para ndeshjes me Danimarkën se do të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, por që sipas tij nuk duhet të jenë të tepruara, pasi skuadra ka nevojë për stabilitet. Francezi ka patur edhe një polemikë me kapitenin Samuel Eto gjatë javës, pasi sulmuesi i Interit është shprehur se nuk i pëlqen më roli i tërhequr, duke qenë se ai është një qendërsulmues tipik. Por, atij nuk i ka pëlqyer aspak që futbollistët nuk i janë bindur urdhrave të tij në ndeshjen e parë, gjë që duket se ka krijuar jo pak konfuzion në ekip. "Mendoj se duhet të marrim secili përgjegjësitë tona, duke nisur nga unë i pari. Sepse, jam unë ai që bashkon skuadrën, që vendos për skemat e lojës, por gjithashtu edhe lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Për ne flasin sikur jemi Luanë, se kemi shpirtin e luanit, por shpresoj që ta gjejmë vërtetë këtë shpirt ndaj Danimarkës", deklaroi Lë Gen. Ndërkohë, kapiteni Samuel Eto u shpreh se në ekip nuk ka klane dhe përçarje. "Jo, nuk kemi luftë me njëri-tjetrin, - deklaroi ai. - Nuk ka pasur asnjëherë përçarje në skuadrën e Kamerunit. E di mirë që trajneri dhe skuadra më besojnë mua si kapiten", u shpreh Eto. Në krahun tjetër, problemi më i madh për Danimarkën janë dëmtimet e shumta që kanë përfshirë këtë skuadër. Trajneri Morten Olsen shpreson të riaftësojë në kohë sulmuesin Niklas Bendtner, i cili luajti për një orë në ndeshjen me Holandës, pavarësisht problemeve që kishte. "Mendoj se çdo futbollist është i rëndësishëm, - tha Olsen. - Ndërsa Bendtner është e qartë se mbetet një nga më të rëndësishmit për ne. Me Holandën nuk ishte 100 %, prandaj luajti për vetëm një orë, por them se sonte ndoshta mund të luajë gjithë ndeshjen". Ndërkohë, edhe mbrojtësi Simon Kjaer e mesfushori Daniel Jensen janë të dëmtuar dhe pritet të mungojnë në këtë sfidë. /a.ke/
KOMENTE