Sport-Koment/ Pse Po Dështojnë Skuadrat E Mëdha Në Botërorin Afrikan ?
TIRANË, 19 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - E premtja ka qenë "e zezë" për dy nga skuadrat europiane, pretendente për fitimin e Kupës së Botës, që po zhvillohet në Afrikën e Jugut që prej 11 qershorit.
Konkretisht, Gjermania dhe Anglia i kanë zhgënjyer tifozët e vet, madje kanë ndërlikuar edhe shanset e kualifikimit për në 16-she. Të paktën matematikisht, edhe pse mbeten "violina" të para për kalimin e grupeve respektive.
Gjermania e Hoakim Lëvit ka humbur 1-0 me Serbinë, ndërsa Anglia ka barazuar 0-0 me Algjerinë. Nëse gjermanët e kanë marrë një fitore, madje bindëse e të thellë, 4-0 me Australinë, në ndeshjen e parë, Anglia nuk e ka shijuar ende fitoren në këto finale. Ka vetëm dy barazime, që tregojnë se anglezët nuk janë në rrugën e duhur. Të paktën deri më tani. Ndeshjet e treta në grupe janë përcaktuese për të dyja këto "superfuqi" të futbollit europian dhe botëror.
Por nëse këtyre dy dështimeve i shtojmë eleminimin e afërt të Francës nga grupi A, humbjen shokuese të Spanjës ndaj Zvicrës, apo nisjen jo të mirë të kampionëve të Botës, Italisë, atëherë natyrshëm lind pyetja se pse po dështojnë skuadrat e mëdha në këtë botëror, kur deri tani vetëm Argjentina ka fituar dy ndeshjet e para në grup, ndërsa Holanda dhe Brazili, pas një prove të parë jo shumë mbreslënëse, do të kenë sot dhe nesër provat e dyta, mjaft të Rëndësishme për kualifikimin në grupe.
Arsyet për këtë gjendje të skuadrave të mëdha janë të shumta, anglezët mund të mbrohen me faktin se topi mjaft i kritikuar "Jabulani" bëri që portieri Green të pësonte gol në atë mënyrë qesharake, por ndaj Algjerisë, topi nuk kishte faj. Trajnerit Kapelo i mungon shumë një sulmues me vlera që ta vërë në krah të Uejn Runit, i cili gjithashtu nuk po zhvillon një botëror në lartësinë e mundësive të tij.
Tek Franca arsyet më të mëdha duket se janë grindjet brenda skuadrës, ku ekipi i drejtuar nga Domenek është i ndarë mes klaneve të ndryshem dhe ku shiriti i kapitenit ka kaluar deri tani në tre lojtarë për të mbetur përfundimisht tek krahu i Patrice Evra, pasi Henry dhe Gallas nuk pranojnë që njëri prej tyre ta mbajë këtë shirit. Një eliminim i paralajmëruar duket ky për "gjelat" kampion bote në 1998-ën dhe Evrope në vitin 2000.
Dështimi spanjoll fillimisht iu atribua të dashurës së portierit Iker Casilas, e cila sipas mediave iberike, i ka tërhequr vëmendjen portierit në momentin e golit të pësuar nga Zvicra, pasi punonte si gazetare pas portës spanjolle, por ky duket se është thjesht një justifikim.
Spanja e Del Boskes luan një lojë të ngjashme me Barcelonën e Guardiolës, jo më kot pjesa më madhe e lojtarëve janë pikërisht nga klubi kampion i Spanjës. Por Spanja nuk ka Lionel Mesin që tek Barceloan hap hapësirat për lojtarët e tjerë, duke tërhequr mbrojtësit, gjë që as Villa dhe as Torres nuk e bëjnë dot. Për këtë arsye Zvicra e drejtuar nga "gjeniu" i pankinës, Otmar Hitcfeld, përdori një "katenaço" të pastër, ashtu si Interi i Mourinjos ndaj Barcelonës në gjysëmfinalen e Ligës së Kampioneve, duke bllokuar burimin e lojës spanjolle, pikërisht mesfushorin Xavi që në asnjë moment nuk mundi të vertikalizonte për sulmuesit. Loja nga krahët nuk është e përshtatshme për shtatshkurtit spanjollë dhe kjo u pa fare qartë në ndeshjen ndaj Zvicrës. Megjithatë Spanja i ka ende të gjitha shanset për të bërë mirë në këtë Botëror pasi ka dy sfida jo shumë të vështira ndaj Kilit dhe Hondurasit.
Zhgënjimi që dhuruan Gjermanët ndaj Serbisë, duket më tepër si një ngecje e çastit për djemtë e Joakim Loev, që aq shumë habitën në provën e parë të fituar 4-0 ndaj Australisë. Humbja gjermane iu faturua arbitrit spanjoll që nxori 9 kartona të verdhë dhe e la Gjermaninë me 10 lojtarë pas nxjerres me të kuq të sulmuesit Miroslv Klose. Por më tepër se arbititri gjermanët duhet të hidhërohen për rastet e shumta të humbura nga Podolski, mes të cilave edhe një penallti. Deri në momentin e mbetjes me 10 lojtarë Gjermania nuk po shfaqte vlerat që tregoi ndaj Australisë dhe lojtarët dukeshin disi nervozë dhe kjo solli këtë humbje. Tashmë tre herë kampionëve të botës i duhet të përballen me Ganën për të nxjerrë ekipin kualifikues në një grup më të hapur se kurrë.
Të gjitha këto mund të jenë disa arsye për këtë zhgënjim që kanë dhuruar skuadrat e mëdha në këtë Botëor, por diçka e përbashkët që lidh lojtarët e këtyre skuadrave duket se është lodhja nga një sezon me të vërtetë i gjatë. Disa prej futbollistëve nuk kanë pushuar as një ditë dhe vetëm dy javë përgatitje duket se janë fare pak për të pasur një formë sa më të mirë në një kampionat Botëror. Një tjetër faktor është i ftohti që bën në Afrikën e Jugut këtë muaj, ku ky është Botërori i parë që luhet në stinën e dimrit. Gjithashtu disa fusha janë në lartësi 1300 apo 1800 metra gjë që krijon më tepër lodhje tek lojtarët, gjë që reflektohet në rendimentin e tyre në këtë Kupë Bote./s.s./