Suedi - Princesha Viktoria Në Altar Me Danielin E Saj
ROMË, 19 qershor /ATSH-ANSA/ - Princesha Viktoria e Suedisë, trashëgimtare e fronit mbretëror, ka mbërritur në katedralen e Stokholmit ku do të kryhet ceremonia martesore me Daniel Westling, ish-profesor gjimnastike dhe trajnuesi personal i princesësh.
Por ceremonia e shumëpritur filloi me pak minuta me vonesë. Megjithatë gjithçka zhvillohet para 1200 të ftuarve nga e gjithë bota. Imazhet e ceremonisë po transmetohen ekskluzivisht nga televizioni publik suedez.
Viktoria është veshur me një fustan klasik të bardhë, ndërthurur me linja të thjeshta dhe moderne. Flokët e mbledhur zbulojnë një fytyrë të ndriçuar nga vathë të gjatë të kombinuar me një kurorë të çmuar, e njëjta që mbante mbretëresha Silvia (nëna e Viktorias) gjatë martesës së saj në vitin 1976.
Pas ceremonisë në katedrale, çifti mbretëror, në krye të një korteu, do të kryejë një shëtitje në të gjithë qytetin, që me rastin e martesës së çiftit do të jetë i mbuluar me lule dhe zbukurime të ndryshme. Viktoria dhe tashmë princi Daniel do të përshëndesin më shumë se 250 mijë personat që kanë dalë në rrugët e qytetit për të prekur një përrallë mbretërore.
/e.v/