Tirana, Kryeqyteti Që Ofron Shumë Pak Mundësi Argëtimi Për Fëmijët
TIRANA, 19 Qershor-/ATSH-Gjergji Mima, Erla Gjikolli/ - Parqet, këndet e lojrave apo terrenet sportive për më të vegjëlit janë ato hapësira me natyrë dëfryese apo tematike, ku fëmijët mund të luajnë lehtësisht, të shoqërohen me njëri-tjetrin, të ndërveprojnë me ambientin përreth, të zhvillojnë aktivitete motorike, të eksperimentojnë aftësitë e tyre fizike dhe mendore, pa pasur frikën e rreziqeve që vijnë nga qarkullimi i dendur i automjeteve.
Ato ndihmojnë në zhvillimin motorik dhe njohës të fëmijës, por edhe në reduktimin e problemeve të mësimnxënies, të problemeve të ndryshme shëndetësore, si dhe për t'u paraprirë kështu edhe tendencave të shtimit në peshë, të shkaktuara nga ushqimi i tepërt dhe moslëvizja.
Por pikërisht këto kënde lojrash, aq të domosdoshme për fëmijët, mungojnë në kryeqytetin shqiptar.
Sipas Bashkisë, "në Tiranë ka 21 mini-kënde lojërash për fëmijë, me sipërfaqe 100 metra katrorë secili, ndërkohë që numërohen edhe 11 mini-kënde sportive për fëmijë dhe adoleshentë, mesatarisht 200 metra katrorë secili".
Megjithatë këto nuk janë të mjaftueshme për fëmijët e kryeqytetit.
Nga ana e Bashkisë së Tiranës duhet t'i kushtohet rëndësia e duhur vendosjes, por kryesisht edhe mirëmbajtjes së këtyre hapësirave kaq të nevojshme për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
Vendet ku duhet të ketë më tepër kënde lojrash janë hapësirat midis blloqeve te banimit, të cilat ose janë kthyer në parkingje për makinat, ose janë dhënë për ndërtime godinash të reja.
-1.5 metra katrorë hapësirë rekreative
Një fëmijë i qytetit të Tiranës duhet të kishte 1.5 metra katrorë hapësirë rekreative, sipas Lëvizjes qytetare "Zgjohu".
Sipas saj, "ndonëse Bashkia në programin e saj përmend dhe deklaron se është duke punuar për kënde lojërash, në realitet ka ndodhur e kundërta, ato hapësira të përfolura për mini kënde, tani janë betonuar".
"Tirana ka rreth 180 mijë minorenë, pra gjithsej janë vetëm 4 mije metra katrorë për të gjithë. Në një kënd lojërash, sikur një fëmijë të luante të paktën 2 orë, bashkë me 19 fëmijë të tjerë, do t'i binte radha të luante një herë në 100 ditë. Po në 99 ditë të tjera çfarë duhet të bëjë një fëmijë?", vlerëson kjo lëvizje.
Sipas saj, "një fëmijë i qytetit të Tiranës duhet të kishte 1.5 metra katrorë hapësirë rekreative, ndërkohë që bashkia e Tiranës u ka dhënë 1.5 cm katrorë çdo fëmije. Madje edhe 32 këndet e ndërtuara, nuk janë mirëmbajtur nga bashkia e Tiranës".
- Baret dhe qëndrat tregëtare, vendet e argëtimit për fëmijë
Aktualisht shumë prindër i çojnë fëmijët e tyre në kënde lojrash private si hapësirat e vetme argëtuese që u krijojnë atyre siguri për argëtimin dhe shëndetin e tyre.
"E dërgojmë djalin tek "Casa Italia", pasi aty ka disa kënde lojrash mjaft të mira, por këtë gjë mund ta bëjmë vetëm gjatë fundjavave", thotë për ATSH-në një nga qytetaret e Tiranës, që thekson faktin se këndet e lojrave në kryeqytet janë të pakët.
Madje edhe ato janë ose të prishur, ose në gjendje të mjeruar, ku fëmijët nuk mund të luajnë.
Ndërsa fëmijët e kryeqytetit gjejnë mënyra alternative për t'u argëtuar, siç mund të jenë sallat e lojrave elektronike apo pikat e internetit.
Një alternativë për t'u argëtuar fëmijët në kryeqytet, mbeten edhe baret, të cilat në hapësirat e tyre kanë krijuar ambiente të veçanta të pajisura me lodra, ku fëmijët mund të argëtohen gjatë kohës që prindërit ulen për të pirë diçka.
Një kënd lojërash në Tiranë është "7 Xhuxhat", tek rruga e Elbasanit, i cili i është dhënë me qera nga bashkia e Tiranës një subjekti privat. Por që fëmijët të argëtohen në këtë vend, prindërit duhet të shpenzojnë jo pak, dhe një pjesë e mirë e tyre shpenzimet nuk i përballojnë për shkak të çmimeve të larta.
-Evidentimi i hapësirave publike, në vëmendjen e Bashkisë
Zgjerimi i hapësirave argëtuese për fëmijët, përmes vendosjes së më shumë këndeve, në lulishtet dhe parqet e hapura për lojë dhe qëndrim, është prioriteti i këtij viti për bashkinë e Tiranës.
"Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet evidentimit të hapësirave publike, ku do të identifikohet vendosja e këtyre këndeve, në një grup edhe më të madh sivjet', u shprehën për ATSH-në burime nga Bashkia.
Megjithatë, sfida dhe vështirësi të shumta ndeshen edhe në këtë drejtim, ku qëllimi kryesor është krijimi i mjediseve të përshtatshme argëtuese, interaktive, sociale, në funksion të mirërritjes dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.
Sipas bashkisë, "nevoja për të siguruar hapësira të lira midis pallateve, çështjet e pronësisë, etj., mbeten çështje të cilat kërkojnë pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e të gjithë komunitetit, si kontribues në krijimin dhe shtimin e këtyre hapësirave bashkëvepruese për më të vegjlit.
Ndërkohë, në gjithë këtë proces një rëndësi të veçantë zë kryesisht mirëmbajtja e këndeve të lojrave dhe e çdo hapësire tjetër publike, e cila mundëson dhe është në funksion të mirëqënies dhe rritjes së cilësisë së jetës së vetë qytetarëve.
Sipas bashkisë, "nuk mungojnë rastet kur komuniteti shpeshherë ka dëmtuar këndet e lojrave dhe terrenet sportive dhe disa prej tyre janë në gjendje jo të mirë. Për këtë arsye, nevojitet sensibilizimi dhe pjesëmarrja e komunitetit në mirëmbajtjen, administrimin dhe shtimin e këtyre hapësirave rekreative, të cilat shërbejnë për rritjen e cilësisë së jetës sonë, janë kontakti i më të vegjëlve me natyrën, sjellin frymëmarrjen, çlodhjen, pushimin, argëtimin, takimet dhe shoqërizimin, pra mirëqënien dhe rritjen e shëndetshme të brezit të ri".
Bashkia e Tiranës përgjatë vitit 2008 mori një nismë të re për t'u krijuar fëmijëve 100 kënde sportive, ku ata të argëtoheshin. Kjo nisëm filloi të zbatohej, duke ndërtuar disa hapësira të vogla mes pallateve.
-Kënde lojrash sot, për fëmijë të civilizuar nesër
"Kjo pandjeshmëri e madhe e shoqërisë ndaj fëmijëve do të na kushtojë shumë", vë në dukje Lira Gjika, pediatre dhe psikologe, "sepse ky keqpërdorim apo harresë ndaj fëmijëve, po i bën ata të vrazhdë me një stad të kaluar fëmijërie".
Ajo argumenton se e gjithë bota e civilizuar sytë i ka nga fëmijët. Sa më shumë t'u krijosh hapësira fëmijëve për të luajtur, aq më të civilizuar janë ato në të ardhmen.
Gjika e paralelizon lojën për fëmijën me punën për të rriturin. "Fëmija duhet të luajë në kohën e duhur, po nuk luajti në këtë kohë nuk krijohen kushtet e posaçme psikike për të qënë i rritur. Mungesa e parqeve të lodrave në Tiranë është pikësëpari një papërgjegjshmëri e madhe e shoqërisë, e cila nuk e merr në konsideratë të ardhmen e vet, por është edhe përgjegjësi e individit, që përveçse emocional ndaj fëmijës së tij, çka e ka dhënë natyra, duhet të jetë i përgjegjshëm për natyrën e rrezikshme në të cilën i kalon fëmijëria të voglit", vijoi ajo.
Jo më kot vende si Franca, Italia, Gjermania etj, kanë krijuar parqe të mëdha disneyland-e, ku në lojë hyjnë edhe të rriturit për të krijuar atë ekuilibër natyror që është i domosdoshëm shumë për fëmijën.
Ndërsa në Tiranë fëmijët nuk kanë ku të luajnë, ose edhe aty ku luajnë janë vetëm, pasi iniciativat gjithëpërfshirëse tek ne mungojnë.
"Nëse me të do të hyjë në lojë edhe i rrituri në parqe me lodra, organizohen ato mekanizma, të cilat krijojnë situatën e mirë për të rriturin, duke qetësuar dhe argëtuar njëkohësisht edhe fëmijën", shpjegoi Gjika.
/s.s./