Tirane, Arrestohet Një Nga Anëtarët E Bandës Së Zanit Të Vlorës
TIRANE, 18 Qershor/ATSH/.- Policia e Tiranës arrestoi sot një 33 vjeçar, pasi ishte dënuar nga gjykata me 5 vjet burg në procesin gjyqësor ndaj bandës së Myrteza Çaushit, i njohur ndryshe si Zani i Vlorës.
Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se i kërkuari Skerdian Bajrami, lindur në Vlorë dhe banues në Kamëz, Tiranë, ishte dënuar nga gjykata e rrethit të Tiranës në 2 shkurt 2009, si bashkëpunëtor në një sërë krimesh të rënda të kryera nga banda e armatosur e "Zanit të Vlorës", vite më parë.
Ndërkohë, përveç ekzekutimit të vendimit të mësipërm, në ngarkim të shtetasit Skerdian Bajrami do të dërgohen materiale shtesë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë si një nga personat që ka kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës në vendin e quajtur "Ura e Farkës" në Tiranë dhe në kundërshtim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për hapjen e rrugës më 11 maj 2010./s.s./