English

Topalli: Opozita Të Bashkëpunojë Për Reformat

TIRANË, 19 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi sot bashkëpunimin e opozitës në parlament për reformat në vend, ndërsa theksoi se detyra e saj është të kundërshtojë qeverinë, por jo t'i bëjë opozitë shtetit. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur me ndryshimet e propozuara nga maxhoranca në rregulloren e Kuvendit, për mënyrën e votimit dhe shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës, Topalli tha se "sot jemi në një fazë të re të parlamentarizmit, kur seanca dëgjimore me kandidatët e propozuar, është bërë një praktikë parlamentare shumë efiçente dhe një hap i rëndësishëm në praktikat në Kuvend". Duke mbrojtur amendimin e rregullores, Kryetarja e Kuvendit tha se për këtë ekzistojnë modele në të gjitha vendet e botës. Pasi iu referua disa të tillave, si modelit amerikan, francez, hungarez, polak etj, Topalli u ndal tek një raport i Komisionit të Venecias, i cili flet për mënyrat e votimit në parlamente të ndryshme, të hapura apo të mbyllura, ku si standard më i lartë vlerësohet ai ku transparenca është më e madhe. "Në bazë të leximit që ne i bëjmë Kushtetutës, ajo e thërret Kuvendin e Shqipërisë dhe i kërkon që të japë një vlerësim substancial dhe votimi substancial nuk është votimi individual i deputetit. Vlerësimi substancial është i institucionit të Kuvendit. Do të ishte papërgjegjshmëri nëse në një votim të fshehtë, një deputet i caktuar për shkak të një lidhjeje miqësore, të një njohjeje personale të jepte një vlerësim mbi një institucion kaq të rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor", sqaroi Topalli. Sipas saj, në përgjegjësinë dhe në vlerësimin e votës substanciale që Parlamenti ka, shumë deputetë kanë ngritur çështjen e votimit të hapur, duke bërë në këtë mënyrë që Kuvendi, si institucion qëndror, të marrë përgjegjësinë për emërimin, por duke i ofruar në të njëjtën kohë një shans opozitës, për të gjykuar mbi vendimet që merren si institucion në përgjithësi. Kryetarja e Kuvendit theksoi se praktikat e mbledhura për këtë çështje janë diskutuar në 5 mbledhjet e Këshillit të Rregullores, që sipas saj, është institucioni që konsiderohet bipartizan. E pyetur për pretendimet e opozitës rreth krizës në vend, Topalli u përgjigj se "roli i opozitës është i shenjtë. Unë si kryetare e Kuvendit kam detyrë t'i respektoj në çdo hapësirë dhe në çdo të drejtë ligjore dhe të kem të gjithë fleksibilitetin për t'i mbështetur, pasi ne si shqiptarë kemi të njëjtat qëllime". "96% e shqiptarëve kërkojnë integrimin dhe në këtë aspekt unë mezi pres bashkëpunimin e deputetëve të opozitës me pjesën tjetër të parlamentit për ta çuar përpara çdo ligj, çdo reformë që i duhet vendit, jo Qeverisë. Detyra e opozitës është të kundërshtojë Qeverinë, t'i bëjë opozitë asaj, por kurrë t'i bëjë opozitë shtetit. Kjo do të ishte shumë e rëndë", tha znj.Topalli./a.s/s.s./
KOMENTE