English

Afganistan - Pentagoni: Ofensiva Është E Ashpër, Por Po Përparon

UASHINGTON, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Sekretari amerikan për Mbrojtjen, Robert Gates pranoi sot se ofensiva e forcave ndërkombëtare në Afganistan kundër rebelëve është "e vështirë", me humbje të mëdha në njerëz, por megjithatë, ajo po përparon. "Është e vështirë dhe ne po pësojmë humbje të mëdha në të njëjtën kohë që po përparojmë", deklaroi ai në një intervistë për televizionin Fox News. Megjithatë, shtoi Gates, themelorja është që ne po përparojmë, vetëm se më ngadalë nga sa kishim parashikuar gjë që sigurisht na shqetëson". "Por, mendoj se situata paraqitet negative në mënyrë të ekzagjeruar", shtoi ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me deklaratat e fundit të gjeneralit Stanley McChrystal, kryekomandanti amerikan i forcave të NATO-s në Afganistan, sipas të cilit operacionet po përparojnë më ngadalë për shkak të vështirësive në terren. "Mendoj gjithashtu se në mesazhin e tij drejtuar ministrave të NATO-s, më 10 qershor, gjenerali McChrystal, thoshte se kishte besim në kapacitetin e tij për të treguar, deri në dhjetor, se po vë në zbatim, jo vetëm strategjinë e duhur, por edhe se po bëjmë përparime", vazhdoi Gates. "Kjo strategji po zbatohet vetëm që prej katër ose pesë muajve me vetëm një pjesë të forcave të angazhuara", theksoi ai duke kujtuar se "presidenti tha se do të presim deri në dhjetor përpara se të vlerësojmë rezultatet". "Mendoj se ka një nxitim në gjykimin e dhënë për situatën dhe harrohet me të vërtetë se jemi vetëm në mes të rrugës së vënies në zbatim të të gjithë përbërësve të strategjisë", këmbënguli Gates. Ai theksoi gjithashtu se "ushtria afgane duhet të jetë e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë kryesore në fushën e sigurisë në qindra rajone të Afganistanit pas pothuaj një viti duke filluar nga korriku i vitit 2011, data kur Shtetet e Bashkuara do të fillojnë tërheqjen e trupave të tyre. /I.Pu.
KOMENTE