English

Afganistan - Pesë Civilë Humbin Jetën Në Tre Atentate Të Ndryshme

KABUL, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Pesë civilë, ndër të cilët tre fëmijë, mbetën të vrarë dhe 24 të tjerë të plagosur gjatë tre sulmeve në juglindje të Afganistanit, njoftuan sot autoritetet afgane. Nga shpërthimi i një rakete në provincën lindore të Nagarharit i mori jetën dy fëmijëve dhe plagosi katër të rritur, ndër të cilët tre gra, njoftoi Ministria e Brendshme afgane. Paralelisht, dy bomba shpërthyen në Lashkar Gah, kryeqendra e provincës jugore të Helmandit. "Bombat u aktivizuan në distancë", deklaroi Daoud Ahmadi, zëdhënësi i qeverisjes lokale. Për pasoje humbën jetën tre civilë, ndër të cilët një fëmijë 12 vjeçar, dhe 15 të tjerë u plagosën. "Disa minuta më vonë, një tjetër bombë shpërtheu pranë një shkolle, duke plagosur pesë persona, ndër të cilët tre të mitur", deklaroi Ahmadi. Civilët janë ata që po dëmtohen më shumë nga konflikti i armatosur, për shkak se talebanët nuk i respektojnë rregullat e luftës dhe nuk shqetësohen për humbjen e jetëve në radhët e popullsisë vendase. Në fakt, rebelët talebanë kanë vrarë tre herë më shumë civilë se sa ushtarë të forcave ndërkombëtare dhe ato afgane, thuhet në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /e.v/
KOMENTE