Afrikë e Jugut, 20 Qershor NOA – Zelanda e re ka rezultuar një pengesë e vërtetë për Italinë në ndeshjen e sotme, e cila ishte e vlefshme për fazën e dytë në grupin F.
Në Nelspruit djemtë e Marçelo Lippit nuk shkuan më shumë se një barazim 1 me 1, rezultat, i cili komplikon arritjen e vendit të parë në këtë grup.
Zelanda e re ishte e para që kaloi në avantazh dhe kjo u arrit që në minutën e 7-ë me anë të një goli të shënuar nga Smeltz, i cili duhet thënë se ishte në pozicion të parregullt.
Më pas për të barazuar shifrat dhe për të vendosur rezultatin final të kësaj gare mendoi sulmuesi i Juventusit, Iaquinta, i cili në minutën e 26-ë shndërroi penalltinë e marrë nga de Rossi në gol.
Për tu përmendur në këtë ndeshje është dhe një shtyllë e Montolivos, e cila më pas u ndoq nga një presion i vazhdueshëm i italianëve, por pa sukses përballë “murit mbrojtës” të ngritur nga neo-zelandezët.
r.b/NOA