English

"Alegreto Albania" Në Bienalen Ndërkombëtare Të Teatrit Në Gjermani

TIRANË, 20 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Komedia "Alegreto Albania", interpretuar nga trupa e Teatrit Kombëtar do të prezantohet në Bienalen Ndërkombëtare të Teatrit "New plays from Europe", që zhvillohet në Wiesbaden (Gjermani) në 22-23 qershor. Kjo Bienale konsiderohet si një nga veprimtaritë më të rëndësishme të teatrit në Evropë dhe mbahet një herë në dy vjet. "Alegreto Albania", fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar të dramaturgjisë 2007, ka për autor Stefan Çapalikun dhe regjisor Altin Basha me aktorët Mirush Kabashi, Olta Dako, Gazmend Paja, Xheni Faja, Vasjan Lami, etj. Komedia prezanton dramën e një familjeje të ngujuar përballë një realiteti indiferent që përpiqet t'i shfrytëzojë sa të mundet. I zoti i shtëpisë rri i mbyllur bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët, sepse njerëzit e viktimës i kanë dërguar fjalë fisit të vrasësit se do e marrin hakun te më i miri. I zoti i shtëpisë i ka bërë apel vetes, se kush mund të ishte më i miri dhe pas shumë dyshimesh, i ka rezultuar vetvetja. Në komedi sillen dhe të tjerë personazhe, që hyjnë e dalin në shtëpi si misionarë shoqatash bamirësie, që rastësisht sjellin brenda dhe disa vegla të orkestrës "Allegreto Albania". ndërsa vrasësi i vërtetë është i lirë, të ngujuarit e shohin në televizor duke u kthyer nga misioni paqeruajtës në Irak. Në fund është vrasësi, ai që propozon edhe zgjidhjen: një plan arratie për në Greqi. Dramaturgu Stefan Çapaliku është autor i veprave dramatike të shfaqura veç në të gjitha teatrot e vendit, janë shfaqur edhe në Itali, Francë, Rumani, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi e Kosovë./n.m/
KOMENTE