Edhe Lezha Ofron Shumë Në Turizëm
LEZHË, 20 Qershor/ATSH- Gaspër Marku/- Janë të rralla qytetet në botë të cilat kanë një histori mijëravjeçare, që dëshmohet nga monumentet historike arkeologjike dhe historike, por që kanë edhe malin, pyllin, lagunën, lumin dhe detin.
Të gjitha këto Lezha, qyteti me histori 3000 vjeçare në veriperëndim të Shqipërisë i ka, ndërkohë që po ngulmohet që ato të jenë atraktive në 12 muajt e vitit për turistët vendas dhe të huaj.
Përpjekjet kanë nisur nga kryetari i bashkisë së Lezhës Viktor Tusha, i cili po bashkëpunon me Universitetin Evropian të Turizmit, për hartimin e një masterplani për zhvillimin ekonomik- social të qytetit në raport me turizmin e qëndrueshëm, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Pasuritë e qytetit janë vendosur edhe në nismën e këtij universiteti "Shqipëria është kulturë", që synon të promovojë të gjitha zonat me vlerë historike dhe kulturore të vendit tonë.
Nisma që nisi pak javë me parë me qytetin antik të Apollonisë në rrethin e Fierit vijoi në fundjavë me Lezhën, me aktivitetin "Nata e bardhë e kulturës", një aktivitet që u zhvillua përreth vendit ku prehet Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu, një zonë arkeologjike ku aktualisht kryejnë gërmime arkeologë francezë dhe gjermanë në bashkëpunim me ata shqiptarë.
Një konferencë mbi të ardhmen e qytetit, një panair artizanal dhe një koncert me këngë dhe valle tradicionale, pjesë e këtij aktiviteti, më së shumti synuan ndërgjegjësimin e të rinjve për të ruajtur vlerat kulturore e arkeologjike të Lezhës.
"Ky aktivitet do të zhvillohet çdo vit në Lezhë, në të njëjtën ditë, në mënyrë që të tërhiqet edhe vëmendja e operatorëve turistikë dhe qyteti të jetë një detinacion për turistët vendas dhe të huaj", do të shprehej në qytetin e Lezhës rektori i Universitetit Evropian të Turizmit, prof. Dr. Salvatore Messina.
Për të Lezha është një qytet që ka shanse mjaft të mëdha për të zhvilluar turizmin në territorin e saj, pasi është një qytet mjaft i rëndësishëm i cili ka pasuri të mëdha natyrore, por edhe kulturore që vlejnë të vihen në pah.
"Jemi mësuar që gjërat e mira të vendi tonë të na i zbulojnë gjithmonë të huajt. Duhej të ishte një i huaj që të vinte në na tregonte se sa të mira zotëronte qyteti ynë, për t'i zbuluar ato dhe vënë në dukje përmes aktiviteteve të tilla kulturore. E pikërisht, një fakt i tillë duhet ta në bëjë të mendojmë dhe të reflektojmë se strategjitë për turizmin janë mëse të nevojshme", tha kryetari i bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha.
Gjithsesi ai është optimist për të ardhmen e qytetit kur thotë se "Lezha sa vjen dhe rritet. Aktualisht ka një rritje prej 3 % të banorëve në një vit. Mjafton të përmendim se në vitet '90 kanë qenë 20 mijë banorë, ndërsa sot numërohet dyfishi i tyre, çka tregon se ky qytet është atraktiv, në rritje dhe zhvillim e sipër".
Lezha jep mundësinë e kombinimit të turizmit të formave të ndryshme dhe kësisoj, edhe në çdo sezon të vitit. "Ne si bashki jemi duke zbatuar pikat e asaj strategjie, e cila ka të bëjë me shfrytëzimin sa më efiçent të aseteve turistike që zotëron ky qytet në çdo stinë të vitit", tha Tusha
Në konferencën për zhvillimin e turizimit në Lezhë ishin të shumtë ata që folën për të ardhmen e qytetit me histori dhe kulturë mijëravjecare.
Specialistë nga Italia u shprehën se nisma të tilla i shërbejnë zhvillimit të një turizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm në zonën e Lezhës, e të konceptuara kështu, në përgjithësi turizmit në të gjithë vendin.
****************
Në fakt Lezha, dikur Lissuss, ka qenë pak e njohur si një destinacion turistik përgjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, megjithëse ka lindur njëkohësisht me qytet e tjera antike si Durrësi, Apollonia, Shkodra, Berati, Butrinti etj.
Vlerat e saj njihen më së shumti nga vendvarrimi i Skëndërbeut, një zonë arkeologjike, dhe kalaja me origjinë ilire, që ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit, nga ku mund të shihet fusha e Lezhës dhe e deti Adriatik.
"Duhet të ndërtohet sa më parë rruga që lidh qytetin e Lezhës me kalanë", tha në konferencën e zhvilluar në Lezhë zv/ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikoll Lesi, duke lënë të nënkuptohet se ky monument nuk ka atë numër vizitorësh që duhet për shkak të mungesës së rrugës.
Lezha është një qytet ku janë përplasur dallgët e pafundme të historisë së Shqipërisë. Atje ka qenë Çezari, dhe po atje, Skënderbeu, u kërkoi besën princërve shqiptare. Kuvendi Franceskan, themeluar nga vete San Francesku i Asizit ne vitin 1220 paraqet gjithashtu interes njohjeje për turistët.
Si një vlerë e jashtëzakonshme e qytetit të Lezhës përsa i përket pasurisë etnografike dhe zakoneve renditet ekzistenca e disa komuniteteve në këtë rajon. Janë mbi 10 komunitete nga ai i Zadrimës, i Mirditës, Malësisë së Madhe, Pukës, Dibrës, Tropojës, etj, ku secili prej tyre ka sjellë traditat dhe veshjet e veta.
Lezha ka dhe lumin Drin, i cili e përshkon qytetin mes per mes dhe që në një vijë më pak se tre kilometra e lidh këtë qytet me detin Adriatik. "Kësisoj Drini duhet të kthehet në një lum të lundrueshëm, si një mënyrë shumë e mirë për të tërhequr numrin e turistëve", tha zv/ministri Lesi.
Të njohura e të vlerësuara në Mesdhe për florën e faunën e pasur janë dhe dy lagunat Kune e Vain, me sipërfaqe rreth 1800 ha, që gjenden pranë qytetit dhe lidhen me detin Adriatik.
Këto pasuri dhe të tjera do të përfshihen në një strategji zhvillimi. "Nuk kërkojmë të ndërtojmë një turizëm pa kokë dhe pa fund, por të dimë ku do të shkojmë, në ç'rrugë do të shkojë turizmi, cilat elementë do të promovohen etj, në mënyrë që edhe pritshmëritë e turistit të përputhen me atë çka ai gjen në terren", tha kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tusha. /k.sh/