Elbasan: Situatë Normale Pas Reshjeve Të Shirave
ELBASAN, 20 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/ - Problemet në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore në qarkun e Elbasanit të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që ranë gjatë orëve të natës dhe që vijojnë edhe sot në mëngjes, u nromalizuan pas ndërhyrjes së punonjësve të ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve.
Shefi i Shtabit të Emergjencave, Mustafa Arapi pohon për ATSH se " shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rënie masive dherash nga kodrinat në akset rrugore Elbasan- Librazhd në vendin e quajtur Kthesa e Murrashit si edhe në aksin rrugor Peqin - Elbasan në vendin e quajtur Papërr".
Në këto dy akse rrugore përreth 30 minuta u bllokua qarkullimi i mjeteve. Arapi shtoi se "mjetet e ndërmarrjes së Rrugëve Rurale ndërhynë dhe bënë të mundur pastrimin e rrugëve nga dherat".
Aktualisht situata paraqitet normale të dy akset janë të kalueshme, ndërsa punëtorët dhe mjetet e ndërmarrjes së Rrugëve Rurale janë në gadishmëri për të përballuar çdo situatë emergjente, tha Arapi./n.m/