English

Fishë Teknike - Iran - Dhjetë Vitet E Përgjakshëm Të "Jundullah"

TEHERAN, 23 shkurt /ATSH-ANSA/ - Grupi sunit "Jundullah" (Ushtarët e Zotit), udhëheqësi i të cilëve u var sot në Teheran, prej rreth 10 vjetësh zhvillon një luftë të armatosur në juglindje të Iranit, me rrëmbime të agjentëve të policisë dhe atentate të përgjakshme me bomba. Anëtarët e "Jundullah" i përkasin etnisë Baluke, që përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Balukistanit, ndërmjet kufirit të Iranit, Pakistanit dhe Afganistanit. Për më tepër ata i përkasin sektit sunit, në një vend si Irani ku më shumë se 90 për qind e popullsisë i përket sektit shiit. Atentati më i rëndë i këtij grupi daton më 18 tetor të vitit 2009 në lokalitetin Pishin, ku shpërthimi i një bombe shkaktoi vdekjen e 40 personave, ndër të cilët rreth 15 anëtarë të Pasdaranëve (Gardianët e Revolucionit). Në maj të të njëjtit vit, një bombë shpërtheu në një xhami shiite të qytetit Zahedan, duke shkaktuar 25 të vdekur dhe rreth 50 të plagosur. Ndërsa në shkurt të vitit 2007, 13 persona humbën jetën pas shpërthimit të një bombe pranë një autobusi me të cilin udhëtonin anëtarë të Pasdaranëve. Autoritetet e Teheranit e kanë akuzuar disa herë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Izraelin dhe Pakistanin se e mbështesin këtë organizatë ekstremiste. /e.v/
KOMENTE