English

Fishë Teknike - Poloni - Komorowski Dhe Kaczynski, Rivalët Kryesorë Në Zgjedhjet Presidenciale

VARSHAVË, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Liberali, Bronislaw Komorowski dhe konservatori Jaroslaw Kaczynski janë dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale, turi i parë i të cilave do të zhvillohet sot në Poloni. Bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit liberal, Donald Tusk, Bronislaw Komorowski, 58 vjeç, në moshë të re ishte militant i opozitës antikomuniste. Ai u burgos në dhjetor të 1981, pas vendosjes së ligjit të luftës nga gjenerali Wojciech Jaruzelski. I ardhur nga një familje aristokratike, Komorowski me formim historian u shfaq në skenën politike pas rrëzimit të komunizmit më 1989. Në vitet 1990, ai ishte pjesë e tre qeverive të njëpasnjëshme në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes para marrjes së portofolit në vitet 2000 dhe 2001. Deputet që prej vitit 1991, ai zgjidhet president i dhomës së ulët të parlamentit në nëntor 2007, pas fitores në zgjedhje të Partisë Liberale Platforma Qytetare (PO). Kandidat i PO në zgjedhjet presidenciale, ai mban në të njëjtën kohë postin e presidentit të përkohshëm që prej vdekjes të presidentit, Lech Kaczynski në një aksident ajror më 10 prill në Rusi. Komorowski është i martuar dhe baba i pesë fëmijëve. Jaroslaw Kaczynski, vëllai binjak i presidentit të ndjerë, feston sot 61-vjetorin. Presidenti, Lech Kaczynski do të aspirojë sërish për presidencën gjatë zgjedhjeve që ishin parashikuar në vjeshtë. Jaroslaw zëvendëson vëllain e tij. Lech dhe Jaroslaw ishin vëllezërit klasik, por gjithashtu dhe unik në botë. Sëbashku ata arritën në majat e pushtetit. Lech si president nga viti 2005 deri më 10 prill dhe Jaroslaw si kryeministër nga muaji korrik 2006 në nëntor 2007. Në vitin 1962, në moshën 12 vjeçare, dy vëllezërit xhiruan një film të sukseshëm "Historia e dy banditëve të vegjël që rrëmbyen hënën''. Ata ndoqën të dy të njëjtin lice dhe ndoqën të dy Universitetin e Drejtësisë. Shef i partisë kryesore të opozitës Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski ka ngjallur admirim tek simpatizantët e tij dhe frikë tek kundërshtarët e tij. Politika është i vetmi pasion. Ai është beqar dhe jeton me mamanë në një shtëpi në Varshavë./ /ec/ a.jor.
KOMENTE