Gaza - Flotilja Libaneze - Marina Izraelite Në Gjendje Gatishmërie
TEL AVIV, 20 qershor /ATSH-ANSA/ - Marina ushtarake izraelite është vënë në gjendje gatishmërie për të identifikuar një ose më shumë anije libaneze të cilat synojnë të tejkalojnë bllokadën detare të Gazës për të dërguar ndihma humanitare për palestinezët.
Sipas të përditshmes "Maariv", anëtarët e njësisë elitë të marinës izraelite, "Flota 13", shqyrtuan dje planet për të marrë nën kontroll anijet libaneze dhe për t'i dërguar ato më pas në portin izraelit të Ashdoditm, ku ngarkesa e tyre do të kontrollohet para se të dërgohet në Gaza me rrugë tokësore. Por bëhet fjalë për të njëjtën njësi ushtarake që më 31 maj sulmoi anijen turke Marmara, sulm që përfundoi me vrasjen e nëntë civilëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, ndër të cilët disa ushtarë izraelitë.
Dje nga Libani, lëvizja shiite Hezbollah theksoi se nuk ka lidhje me organizimin e dërgimit të anijeve "për mos t'i dhënë asnjë pretekst armikut". Por sipas shtypit izraelit, dy nga organizatorët, Samar al-Haj dhe biznesmeni Yasser Kashlak, mbajnë marrëdhënie të ngushta me liderin e Hezbollah, Hasan Nasrallah.
Ndërsa e përditshmja "Haaretz" thekson se Izraeli ka bërë shumë presion mbi Vatikanin deri sa të pengohen murgeshat që synojnë të hipin në anijet humanitare drejt Gazës.
/e.v/