Laç, 20 qershor 2010 NOA – Një grabitje skandaloze ka ndodhur sot në qytetin e Laçit me viktimë një oficer të Policisë Bashkiake të cilit iu vendos pistoleta në kokë, vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Laçit, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Plaçkitja e dhunshme ku nuk mungoi arma e zjarrit, ndodhi në një dyqan celularësh që ju shihni dhe në këtë foto.
Pronar i kësaj pike të servisit dhe shitjes së celularëve, është Mark Lleshi, njëkohësisht oficer i Policisë Bashkiake të Laçit dhe kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit të rrethit Kurbin.
Një person është afruar te dyqani dhe me një pistoletë që mbante në dorë, ia ka vendosur në kokë pronarit të dyqanit që në ato momente ishte i vetëm duke mbyllur dyqanin dhe e ka detyruar të dorëzojë gjithë paratë që kishte në kasë.
Pasi mori të gjitha paratë që iu dorëzuan pa rezistencë, agresori rrëmbeu dhe gjashtë celularë të shtrenjtë dhe menjëherë më pas u largua nga dyqani duke vrapuar për në drejtim të paditur.
I dëmtuari denoncoi ngjarjen në polici dhe kërkoi ndihmën e tyre. Policia tha se është vënë në kërkim të autorit por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij. Edhe pse agresori ishte i pamaskuar, pronari i dyqanit nuk e lidh dot me asnjë person të zonës ndaj dhe identifikimi i tij bëhet edhe më i vështirë.
r.n/NOA