Prizren, 20 qershor, NOA/Irma Toptani – Amaneti i i tij i fundit i lënë testament ishte të digjej dhe hiri t’i shperndahej në qytetin e bukur të Prizrenit, në fshatin Lumbardh, aty ku familja e tij prej vendlindjes në Sarajevë ishte shpërngulur duke u kthyer në shtëpinë e dytë.
Pesë ditë nga vetëflijimi i aktorit të madh Bekim Fehmiu, Uliksit siç të gjithë e njohën edhe në jetë, në banesën e tij në Zvezdara, në Beograd, trupi i të ndjerit Bekim Fehmiu është djegur pas ritualeve mortore dhe në prani të familjes së tij, bashkëshortes, Branka Petric dhe dy djemve, Uliksit dhe Hedonit, është shpërndarë sot nëpër tokën e fshatit Lumbardh të Prizrenit.
Kështu deklarojnë mediat kosovare, që i kanë bërë jehonë lajmit të dhimbshëm të aktorit të madh, që sikundër u mësua edhe tërheqjen e tij nga jeta artistike në Beograd e ndërmori për shkak të genocidit të serbëve ndaj shqiptarëve, një politikë kjo të cilën Fehmiu, me prejardhje nga një familje gjakovare, nuk mundi ta përtypte dot.
Ditët e fundit pas vetëvrasjes së aktorit të madh janë shprehur në intervista të ndryshme edhe dy të bijtë, Uliksi dhe Hedoni, si dhe bashkëshortja Branka Petric, e cila deklaroi edhe amanetin e fundit të bashkëshortit të saj, Bekim Fehmiu, që trupi t’i digjej, dhe hiri t’i hidhej nëpër Prizren.
Bekim Fehmiu, që sapo kish mbushur 74 vjeç kohët e fundit kishte pësuar një goditje të fortë psikike, që duket e kishte dobësuar fort dëshirën e tij për të jetuar, një dëshirë që sikundër thonë të bijtë varej patjetërsueshmërisht nga forca dhe vitaliteti i njeriut që s’kish mundur kurrë të ishte vetëm se vital.
Tashmë, edhe shpërndarja e hirit nëpër Prizren, ka një domethënie sublime, atë të mosndarjes përjetësisht nga Prizreni, dhe mbi të gjitha bashkëqytetarët e tij shqiptarë, një dëshirë që duket se Bekim Fehmiun do ta mbajë gjallë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën si Uliksin shqiptar.
mit/NOA