English

Iran - Një Fotoreporter I Pavarur Dënohet Me Tre Vjet Burg Për Fotografimin E Manifestimeve Postelektorale

TEHERAN, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Një fotoreporter iranian i cili punon si i pavarur për agjencinë Getty Images u dënua me tre vjet burg për fotografitë e bëra gjatë manifestimeve postelektorale të qershorit të vitit 2009, njoftoi sot një faqe interneti e opozitës. "Majid Saeedi u dënua me tre vjet burg", bëri të ditur Kaleme.com, faqja e internetit të një prej liderëve të opozitës reformatore iraniane, Mir Hosein Musavi. Ai është arrestuar në korrik të vitit 2009 bashkë me një fotoreporter tjetër vendës për dërgimin në media të huaja të fotove të manifestimeve pas rizgjedhjes së kundërshtuar të presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Ai është liruar pas një muaj burgimi me kusht. Saeedi është fotoreporter që prej rreth 20 vjetësh dhe ka punuar edhe si botues për agjencinë iraniane Fars dhe për disa gazeta lokale. Autoritetet iraniane u kanë ndaluar gazetarëve që punojnë për media të huaja pasqyrimin e manifestimeve të opozitës më 16 qershor të vitit 2009 një ditë pas një marshimi proteste rreth parkut Azadi (paqja) në Teheran. Që prej zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit të vitit 2009, rezultatet e të cilave janë kundërshtuar nga opozita, artikujt e mediave janë mjaft të kontrolluara dhe dhjetëra gazetarë janë arrestuar, disa prej të cilëve janë dënuar me dënime të rënda. /I.Pu.
KOMENTE