Izraeli Do Të Autorizojë Hyrjen Në Gaza Të Të Gjitha Mallrave Për Qëllime Civile
JERUSALEM, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Izraeli vendosi të autorizojë hyrjen në Rripin e Gazës të të gjitha "mallrave që do të përdoren për qëllime civile", duke penguar në të njëjtën kohë trafikun e armëve, njoftoi sot një burim qeveritar izraelit.
"Angazhohemi të bëjmë të mundur futjen e mallrave për përdorim civil për popullsinën civile të Rripit të Gazës", i deklaroi AFP-së një zyrtar i lartë qeveritar.
"Duke filluar nga sot, është hapur drita jeshile për futjen në Gaza të të gjitha mallrave me përjashtim të pajisjeve ushtarake dhe materialeve që mund të forcojnë makinën e luftës së Hamasit, lëvizja islamike që kontrollon Rripin e Gazës", shtoi ky zyrtar.
Ky vendim, i njoftuar pjesërisht të premten, bëhet pas presioneve të shumta ndërkombëtare për heqjen e bllokadës së vendosur në Rripin e Gazës, të cilën po përpiqej ta thyente një flotilje me ndihma ndërkombëtare e marrë nën kontroll nga ushtria izraelite më 31 maj.
Ky operacion solli vdekjen e nëntë pasagjerëve turq, duke shkaktuar protesta të shumta në botë.
Në të njëjtën kohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të takohet me presidentin amerikan Barack Obama më 6 korrik në Uashington.
/I.Pu.