Izraeli Liron Një Deputet Të Hamasit Të Burgosur Që Prej Vitin 2006
JERUSALEM, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Izraeli liroi sot një deputet të lëvizjes palestineze Hamas i arrestuar pas kapjes së ushtarit izraelit Gilad Shalit nga një komando palestineze në qershor të vitit 2006, njoftuan autoritetet izraelite të burgjeve.
"Naif al Rajub u lirua sepse dënimi i tij po i afrohej fundit", bëri të ditur një zëdhënës pa dhënë hollësi të tjera.
Ai bënte pjesë në një grup prej 60 kuadrosh të Hamasit të arrestuar pasi ushtari Gilad Shalit ishte kapur rob gjatë një operacioni të marrë përsipër nga krahu i armatosur i Hamasit dhe dy grupe të tjera palestineze.
Shumë prej tyre janë liruar tashmë. Izraeli mban ende në burg nëntë deputetë të Hamasit, si dhe dy të Fatahut, partia e presidentit të Autoritetit palestinez Mahmud Abas dhe një të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, FPLP, e majtë.
Lëvizja islamike që kontrollon Gazën, kërkon lirimin, veçanërisht në Cisjordaninë e pushtuar, të një mijë palestinezëve të burgosur nga Izraeli, ndër të cilët disa zyrtarë të krahut të saj ushtarak të akuzuar për përfshirje në atentate të përgjakshme, në këmbim të rreshterit izraelit, i cili mbahet në një vend të fshehtë.
Izraeli dhe Hamasi ia hedhin fajin njëri-tjetrit për dështimin e bisedimeve të fundit lidhur me një shkëmbim të burgosurish, të ndërmarra me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe të një përfaqësuesi të shërbimit të zbulimit gjerman.
/I.Pu.