Jemen - Të Paktën Katër Të Vdekur Nga Një Sulm Në Jug Të Vendit
SANA, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Dy zyrtarë të ushtrisë jemene mbetën të vdekur sot nga një sulm i një grupi personash të armatosur në Daleh, rajon jugor i Jemenit, njoftoi sot ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës dy prej atentatorëve kanë mbetur të vdekur po ashtu.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të internetit, ministria e Mbrojtjes konfirmonte se "një grup elementësh separatistë të jashtëligjshëm kishin ngritur një kurth në orët e para të ditës së sotme, në rrugën kryesore të Daleh, ku do të kalonte automjeti me të cilin udhëtonte një gjeneral i ushtrisë, disa oficerë dhe disa ushtarë".
Atentatorët "hapën zjarr në drejtim të automjetit, ku shkaktuan vdekjen e një nënkoloneli dhe një kapiteni të ushtrisë", ndërkohë që gjenerali dhe dy ushtarë morën plagë të lehta, sipas njoftimit.
Ministria theksonte se edhe dy prej atentatorëve mbetën të vdekur dhe një i tretë prej tyre u plagos po ashtu dhe shtoi se të tre ishin në listën e ''personave më të rrezikshëm të kërkuar në rajon''./
/i.p/