Tiranë, 20 qershor, NOA – Prej katër muajsh 33 vjeçari Bujar Xhambazi dhe Tauland Xhambazi 23 vjeç në bashkëpunim me të tjerë sillnin nga Greqia përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, mallra kontrabandë, duke iu shmangur kontrolleve doganore për mrekulli.
Pas dyshimit dhe hetimeve prej katër muajsh nga ekspertët e seksionit kundër krimit ekonomik në bashkëpunim me policinë e Tiranës, policia e Tiranës finalizoi sot pasdite operacionin e koduar “Kapshtica II”, me arrestimin e dy shtetasve, Bujar dhe Taulant Xhambazi.
Sipas policisë, kapja në flagrancë e dy shtetasve me Bujar dhe Taulant Xhambazi, që duket të jenë nga e njëjta familje, u bë në Kthesën e Lundrës në Tiranë, ku ata po transportonin mallra kondrabandë në automjetin tip Mercedes Benz me targë KO 748A.
Sikundër bën të ditur policia e Tiranës, gjatë kontrollit të automjetit, mallrat kontrabandë ishin të fshehura në automjet, në mënyrë të tillë që të mos shiheshin nga kontrollet rutinë të policisë.
Policia ka ushtruar kontroll edhe në mjediset e subjektit tregtar të Taulant Xhambazit, porositës i mallit, ku rezultuan mallra të tëra pa faturë tatimore.
Ndër mallrat kontrabandë të konfiskuara si provë materiale numërohen 5960 Palë bluza dhe pantallona të llojeve të ndryshme; 6737 palë pantallona të shkurtra të llojeve të ndryshme për meshkuj femra; si dhe fugoni Mercedes Benz Sprinter me ngjyrë gri me targë KO748A.
Bujar Xhambazi dhe Taulant Xhambazi do të ndiqen penalisht për tregtimin dhe transportimin e mallrave kontrabandë, ku vlera e mallrave të sekuestruar llogaritet në 30 mijë Euro.
mit/NOA