Kolumbi - Vriten Shtatë Policë Dhe Katër Ushtarë Ndërkohë Që Zhvillohet Turi I Dytë I Zgjedhjeve
PRESIDENCIALE
BOGOTA, 20 qershor /ATSH-AFP/ - Shtatë policë dhe katër ushtarë u vranë ndërsa tetë anëtarë të forcave të rendit konsiderohen të zhdukur pas disa sulmeve që ndodhën sot në Kolumbi, ndërkohë që zhvillohet turi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, njoftojnë burime zyrtare.
"Njoftojmë një ngjarje për të ardhur keq: sulmin me eksploziv ndaj një patrulle policie që shkaktoi vdekjen e shtatë policëve dhe zhdukjen e tetë të tjerëve", i deklaroi shtypit Margarita Silva, zyrtare e sigurisë në rajonin Norte de Santander.
Ministri i Brendshëm Fabio Valencia foli për disa sulme në këtë rajon dhe në dy të tjera, Meta dhe Antioquia ku humbën jetën katër ushtarë.
Policët u sulmuan rreth orës 11:00 (16:00 GMT) në rajonin Norte de Santander, që ndodhet jo larg kufirit me Venezuelën. Sipas Margarita Silva, sulmi, autorët e të cilit nuk janë identifikuar ende, ndodhi ndërsa policët po zhvendoseshin pranë lokalitetit Tibu. Zyrtarja nuk dha hollësi për fatin e tetë policëve të zhdukur.
Sulmi ndodhi rreth tri orë pas hapjesë së qendrave të votimit, në orën 08:00 (13:00 GMT) për turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, janë përballë njëri-tjetrit ish-ministri i Mbrojtjes Juan-Manuel Santos, pasuesi i zgjedhur i presidentit aktual Alvaro Uribe dhe ish-kryetari i Bashkisë së Bogotës Antanas Mockus.
Deri tani autoritetet nuk kishin përmendur incidente të mëdha që mund të pengonin votimin, që mbikëqyret nga rreth 350 000 policë dhe forca ushtarake.
Kolumbia vazhdon të jetë e përfshirë nga një konflikt i armatosur mes dy gueriljeve, forcave të armatosura revolucionare të Kolumbisë, Farc, marksiste dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ELN, çegevariste.
Guerilja e Farc, që vepron në pothuaj 50 për qind të territorit, ka ndërmarrë rreth 800 aksione të armatosura që nga fillimi i vitit, njofton organizata Nuevo Arco Iris, që mbikëqyr konfliktin.
/I.Pu.