English

Kuvend/ Ligjet Që Kërkojnë 84 Vota, Në Pritje Të Konsensusit

TIRANË, 20 Qershor/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë deri në përfundim të punimeve të sesionit të dytë të kësaj legjislature më 29 korrik, ka parashikuar të miratojë një numur projektligjesh të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar (84 vota). Një pjesë e tyre kanë qënë 'peng' i bojkotit të zgjatur të deputetëve të majtë, ndërsa disa të tjerë janë mbartur nga legjislatura parardhëse. Axhenda e punimeve e Kuvendit në kalendarin trejavor të saj përfshin ndër të tjera miratimin e disa p/ligjeve që lidhen me gjykatën administrative, reformën në drejtësi, ndryshimet në disa Kode etj. Për këtë situatë opozita është shprehur se fillimisht palët duhet të zgjidhin krizën politikë dhe më pas të mendojnë për votimin e projektligjeve, të cilat nuk mund të miratohen pa votat e saj. Në rast se gjendet vullneti mes palëve, i pari p/ligj që do të miratohet është "Për Gjykatën Administrative". Ndonëse i kaluar me konsensus në komisione një vit më parë, opozita braktisi miratimin e tij duke shtyrë në seancën e 15 majit, duke vonuar prej gati një viti ngritjen e kësaj gjykate. Axhenda parlamentare në ditët në vijim ka edhe disa projektligje të tjera që presin 84 vota për miratim si disa ndryshime në Kodin Civil, Kodin Penal, Kodin e Punës si dhe në Kodin Rrugor. Një ligj me rëndësi është edhe Ndarja Administrative, që synon një reformë më të mirë në këtë fushë. Gjithashtu, presin miratimin disa projektligje të rëndësishme për reformën në drejtësi, si p/ligji "Për administratën gjyqësore", "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", si dhe një ligj i ri për Noterinë. Projektligjet që duan 84 vota: 1. P/ligji "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative". 2. P/ligji "Për ndryshimin e emrit të fshatit Qendër Komunë". 3. P/ligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë". 4. P/ligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar". 5. P/ligji "Për një shtesë në ligjin nr. 10040, datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë". 6. P/ligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë". 7. P/ligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë". 8. P/ligji "Për administratën gjyqësore" 9. P/ligji "Për disa ndryshime në ligjin "Për ndarjen administrative-territoriale vendore" 10. P/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare" 11. P/ligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për noterinë" Punimet e sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit mbyllen në 29 korrik për të rifilluar në muajin shtator./a.s//n.m/
KOMENTE