English

LSI, Rama: Socialistët spekullojnë, draftet rrëzohen vetëm në tryeza bisedimesh

Tiranë, 20 qershor, NOA Update- Një muaj pas darkës informale të Strasburgut e thirrur nga përfaqësues të Parlamentit Europian, mes liderit të Mazhorancës Sali Berisha dhe atij të Opozitës, Edi Rama dhe europarlamentarëve ende nuk duket asnjë reflektim lidhur me krizën politike që ka kapluar dy kampet më të mëdha politike në vend, madje lideri socialist Rama ka bërë thirrjes se fajin për dështimin e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik 1 vjëçar e kanë negociatorët e mazhorancës.

Por, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka hedhur poshtë akuzat e liderit socialist, për gjoja mos firmosjen e drafteve të negociatave nga mazhoranca duke deklaruar se “ky qëndrim është spekulativ, sepse draftet rrëzohen apo pranohen kur palët janë ulur në tryezën e dialogut dhe nga pozicione inekstremis apo nga bunkerë partish nuk mund të gjykojmë dhe nuk mund të konkludojmë, se cili draft është pranuar apo cili draft është rrëzuar.”

Ndaj, theksoi Rama, “për sa kohë që palët, PD dhe PS, si dy partitë që kanë numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, nuk janë ulur në tryezën e dialogut, nuk janë ulur në një proces jo vetëm bashkëpunues, por dhe transparent të gjykimit të drafteve apo alternativave që gjykojnë, atëherë, nuk mund të shprehemi me të tilla qëndrime që akuzojnë njërën palë duke nxjerrë jashtë përgjegjësisë veten e vet”.

Në vijim sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama deklaroi se LSI vazhdon të jetë në të njëjtën linjë me qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë duke këmbëngulur në domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi që respekton Kushtetutën e vendit dhe garanton seriozitetin e një procesi institucional dhe politik të bashkëpunimit mes forcave politike.

“Pavarësisht angazhimit në qeverisjen e vendit dhe përpjekjeve tona për të qenë sa më seriozë në kontributin për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët dhe për ta kapërcyer këtë situatë politike të mbajtur ende nën ngërç, ne po punojmë me seriozitet me të gjitha strukturat dhe për këtë arsye kemi nisur një seri takimesh me të gjitha forumet drejtuese të LSI-së në bazë, me qëllim që të ridimensionojmë dhe të rrisim përgjegjësinë dhe angazhimin e çdo anëtari të LSI-së, si dhe të vëmë në punë më mirë dhe më me seriozitet strukturat e partisë, pasi fillimi i sesionit të ardhshëm të Kuvendit, pra afrimi i vjeshtës dhe i gjithë ky proces do të na vërë përpara sfidash të reja”, deklaroi Luan Rama.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm, të LSI-së, Rama, për këtë arsye ka nisur edhe fushata e zgjedhjeve në disa nivele, ku më e rëndësishmja është fushata e zgjedhjeve që zhvillohet për kryetarin e LSI-së së Tiranës.

I pyetur lidhur me ndonjë kandidim të mundshëm të LSI-së, më vete për Bashkinë e Tiranës, apo me kandidat të përbashkët me PD-në, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, u shpreh se “nuk është sot koha se si dhe në çfarë raportesh do të jetë partneriteti në zgjedhjet lokale, në funksion të vullneteve politike ne do të gjykojmë në kohën e duhur, por më e rëndësishmja është se ne jemi fokusuar në performancën qeverisëse të përfaqësuesve të LSI-së, por po kaq jemi të vëmendshëm dhe po analizojmë gjithçka që lidhet me qeverisjen e vendit”, përfundoi deklaratën e tij sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

mit/NOA
KOMENTE